Përleshja që ndodhi mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje është dokumentuar nga ana e kamerave në hollin e Kuvendit.
Në videot që ka siguruar KOHA, pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, deputetët e LDK-së, Arben Gashi, Kujtim Shala e Doruntina Maloku dalin të parët, por presin para derës së sallës.
Me të dalë Gazmend Gjyshinca i LVV-së, atij i vihen prapa deputetët e LDK-së.
Kujtim Shala, sipas këtyre pamjeve e kap në krah dhe Gjyshincën e rrethojnë edhe dy deputetët e tjerë të Kuvendit.
Ndërkaq, në tollovinë e krijuar ku ndërhyjnë edhe pjesëmarrës të tjerë në komision, Arben Gashi ka arritur ta godasë deputetin e LVV-së, derisa vërehet edhe deputetja Maloku tek i largon dy bashkëpartiakët e saj.
Koha edhe të mërkurën ka provuar t’i kontaktojë deputetët e LDK-së, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.
Pas këtij incidenti ishte njoftuar edhe ndihma e shpejtë. Pas ekzaminimit, mjeku kishte konstatuar se Gazmend Gjyshinca ka ndrydhje në regjimentin e krahut të djathtë e stres emocional.
Rasti është iniciuar edhe në Policinë e Kosovës, që në raportin 24 – orësh e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”. Aty nuk jepen detaje, por se thuhet që viktima ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy meshkuj të dyshuar.
Po ashtu, tregon se janë intervistuar palët e rasti ka vazhduar me procedurë të rregullt.
Ndërkaq, Zyra për media e Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk kanë informata dhe se hapësirat janë të mbuluara nga kamerat e sigurisë, në të cilat Policia ka pasur qasje.
Të martën, deputetët e LDK-së të përfshirë në incident kanë mohuar se kishin sulmuar fizikisht Gazmend Gjyshincën e Vetëvendosjes.
E për hetimet, Prokuroria Themelore nuk ka kthyer përgjigje.