Arbëri

KOHA siguron kërkesën e qytetarëve serbë për largimin e kryetarit të Mitrovicës V.

Kërkesa që është bërë nga një grup i qytetarëve serbë për inicimin e peticionit për largimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq, nuk është pranuar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të këtij qyteti, Nexhat Ugljanin.

Ugljanin ka thënë për KOHËN se kërkesa në formën si është bërë dhe si është tentuar të dorëzohet, nuk pranohet.

“Kërkesa duhet të shkojë sipas Udhëzimit Administrativ, duke i shtruar kërkesat specifike për të vazhduar me procedurën”, tha Ugljanin.

KOHA ka siguruar kërkesën e bërë nga grupi i qytetarëve serbë. Në të nuk kishte nënshkrime dhe nuk ishte e protokoluar. Kërkesa nuk i ishte dorëzuar zyrtarisht kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Image

Në kërkesën, ku figurojnë emrat e Sanja Lazareviq, Milan Milosavljeviq e Nikola Arsiq, thuhet se po kërkohet largimi i Atiqit, pasi ai “nuk ka legjitimitet demokratik për t’i përfaqësuar qytetarët”.

“Në të njëjtën kohë, theksojmë se komuna nuk është në funksion dhe nuk po ofron shërbime bazike për qytetarët, shërbime që e ka detyrim t’i ofrojë. Po ashtu kryebashkiaku merr vendime që janë kundër interesit publik”, thuhet në kërkesë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, të mërkurën kishte se kërkesa nga qytetarët nuk ishte drejtuar zyrtarisht kryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut.

Ai tha se në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar kuvendeve komunale përkatëse.

“Meqenëse kjo është një nismë që kërkon disa njohuri praktike gjejmë rastin të rendisim edhe njëherë disa çështje kryesore lidhur me këtë proces; Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni; Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë; Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar; Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje; Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në; Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë; Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ; Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve. Ndërkohë deri në këto momente nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga Kryesuesit e kuvendeve komunale dhe rrjedhimisht asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Ai tha se MAPL do të procedojë në momentin kur nisë zyrtarisht procesi.