Arbëri

KOHA Ditore mbush 28 vjet

28 vjet KOHA Ditore

As pas 28 vjetësh rrugëtimi i KOHËS nuk ndalet

Sot janë bërë 28 vjet nga botimi i numrit 0/1 të gazetës KOHA Ditore. Ky numër ishte botuar më 31 mars të vitit 1997.

Numri i veçantë ishte shpërndarë falas atë ditë dhe në dy ditët pasuese dhe ishte botuar në 16 faqe.

Përveç të dielës, atë kohë KOHA Ditore dilte gjashtë herë në javë. Më 3 prill 1997, u botua numri 1 i gazetës.

KOHA Ditore u rezistoi kohëve të vështira. Më 30 korrik të 1997-s u botua numri 100 i gazetës.

Më 16 qershor të vitit 1999, KOHA Ditore u shpërnda në Prishtinë për herë të parë pas luftës. Shpërndarja u bë falas. Numri jubilar, 1000, u botua më 9 prill të vitit 2000.

As pas 28 vjetësh rrugëtimi i KOHËS nuk ndalet.

Ajo vazhdon misionin e saj për shoqëri të lirë që pushtetin e mban përgjegjës si vlerë e themeltë demokracie.

Kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi, ka thënë se janë parimet etike ato që e kanë ndërtuar KOHËN dhe e kanë bërë atë të besueshme. 

“Janë parimet etike mbi të cilat ne jemi ndërtuar, i mbaj në mend fillimet e mija, kur ishte me rëndësi që faktet të jenë në mënyrën më të thjeshtë dhe të dukshme të paraqitura në tekst, të largohen interpretimet ose komentimet, pavarësisht sesa të prekte ty ai lajm, e thash që në atë kohë ishte luftë, dhe në u patëm mësuar që gjërat t’i shohim me një sy më objektiv dhe të mbajmë distancën nga ajo që po raportojmë, dhe kjo na ka përcjell gjatë gjithë kohës, edhe pasluftës edhe tani”, ka theksuar Rexhepi, e cila punën në KOHË e ka filluar vetëm një vit pas themelimit të saj. 

Rexhepi në një intervistë në emisionin "Sot" në KTV ka thënë se KOHA edhe në realitetin e ri të krijuar me zhvillimet teknologjike ia ka dalë që t’i ruajë dhe t’i ndjekë ato parime.

VIDEO: