Përfaqësues të koalicionit të kryesuar nga Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt që ta ndjekin shembullin e kandidatit të tij për deputet, Haki Abazi, i cili ka braktisur radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. E në këmbim të kësaj, atyre u është premtuar zvogëlimi i çmimit të energjisë dhe rregullimi i furnizimit me të
Ulje të çmimit të energjisë elektrike u kanë premtuar të enjten qytetarëve të Ferizajt përfaqësues të koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit.
Kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, ka bërë zotimin se do ta rregullojë problemin me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike.
“Nuk guxon më të rritet çmimi i energjisë në Kosovë, por nuk ju garantoj që kushdo tjetër që vjen nuk ua rritë”, ka thënë Haradinaj. “Në tre vjet do ta uli çmimin dhe jo shumë larg prej këtu, në periferi të Ferizajt, do të vjen gazsjellësi, që do të vjen prej Shkupit e do të shkojë në Prishtinë. Do të ndërtohet centrali me gaz dhe në dy vjet e gjysmë ne do të kemi kontroll në çmim, pasi do të kemi prodhim dhe nuk do të varemi nga tregu që ata e përcaktojnë pasi ne jemi nevojtarë”, ka shtuar ai.
E kandidati për deputet i këtij koalicioni, Haki Abazi, ka folur për partinë në të cilën më herët ka bërë pjesë. Ai ka thënë se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) është shpërbërje e vlerave të shtetit.
“Ju e dini mirë këtu secili që jeni, që me idenë e besimin që ndryshimet e mëdha që shteti do të bëhet ku kam qenë unë, po të ishte mirë do të isha aty. Nuk jam aty, e kam bërë ndryshimin e madh, sepse ajo rrugë na ka drejtuar drejt humnerës, drejt shpërbërjes së vlerave që kemi luftuar si komb”, ka thënë Abazi.
Haradinaj, por edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për deputet i këtij koalicioni, Fatmir Limaj, u kanë bërë thirrje qytetarëve në Ferizaj që të ndjekin shembullin e Abazit, duke iu referuar largimit të tij nga partia që është aktualisht në pushtet.
“Mesazhi më i madh prej neve është që duhet me dëgjua mesazhin e Haki Abazit. Ne i kuptojmë dhe i mirëkuptojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë besuar për më mirë, kanë besuar në ata që nuk kanë qenë të provuar, në ata që e kanë prek zemrën e shqiptarit për ndërtim e zhvillim, por ata dolën një mashtrim i madh”, ka thënë Limaj. “Katër vjet na treguan se ato ishin premtime mashtruese, ata iu kthyen në një dëshpërim. Le të shërbejë ajo që tha Hakia për të gjithë qytetarët e Kosovës që ndihen të mashtruar e le të ndjekin shembullin e Haki Abazit për të larguar këtë qeveri mashtruese”, ka shtuar ai.
E kandidati për deputet i koalicionit rreth AAK-së nga Komuna e Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka thënë se qytetarët e Ferizajt kanë arsye që ta votojnë Haradinajn për kryeministër, pasi që “ky qytet ka përfituar dhjetëra projekte” gjatë periudhës kur ai ka qenë në krye të Qeverisë.
“Që në kohën e qeverisjes Haradinaj, Komuna e Ferizajt ka përfituar gjithçka, të gjitha kërkesat në Komunën e Ferizajt nuk janë diskutuar por vetëm janë realizuar. Është realizuar projekti i nënkalimit, është filluar ndërtimi i spitalit të Ferizajt, që tanimë janë bllokuar mjetet financiare. Gjatë qeverisjes Haradinaj janë ndërtuar shumë rrugë e ka pasur shumë bashkëpunime të komunës me qeveri”, ka thënë Zariqi.
Në kuadër të aktiviteteve elektorale për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, koalicioni me kandidat për kryeministër Ramush Haradinaj të enjten ka mbajtur tubim edhe me qytetarë në Kaçanik.
Programi qeverisës i koalicionit të emërtuar “Për Kosovën fituese” është i ngritur mbi katër shtylla, të cilat e përfshijnë anëtarësimin direkt të Kosovës në Aleancën Veriatlantike- NATO; zhvillimin ekonomik; përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrimin në Bashkimin Evropian (BE); si dhe ndaljen e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.
Programi qeverisës i koalicionit përfshin edhe zotimin për dyfishimin e pagave të punonjësve në sektorin publik si dhe rritjen e pagës minimale në vlerë mbi 500 euro. Po ashtu, ky koalicion ka premtuar formimin e ministrisë për familje.
Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. Ky koalicion është zotuar që t’u ndajë nga 1.500 euro për familjet që presin fëmijën e parë, nga 2.500 për ato që janë në pritje të fëmijës së dytë dhe nga 3.500 për fëmijën e tretë.