Koalicioni për Familje ka hapur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me premtimin se me ardhjen e saj në pushtet do të mbrohet familja si shtylla kryesore e shoqërisë.
I ftuar special në hapje të fushatës ishte ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë ambasadori Ëilliam Ëalker.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Eman Rrahmani falënderoi ambasadorin Ëalker duke thënë se është personi i cili ka dëshmuar si mbrohet familja.
“Duke ju parë këtu s’ka martesa burrë më burrë, nuk guxon të thyhen parimet e gjithë atyre që kanë sakrifikuar jetën e tyre. Ambasadori Ëalker është personi, i cili ka treguar se si mbrohet familja. Secili kandidat këtu ka për synim të mbrojë vlerën e familjes. Ne e kemi ruajtur familjen, ne na duhet që angazhimin e nënave tona ta konkretizojmë me politika tona. Do të ketë vetëm dy gjini. Duhet të angazhohemi që mos të ketë dukuri që rrezikojnë vendin tonë”, ka thënë Rrahmani.
Ndërsa, kryetari i Aleancës për Kosovën e Re, Behgjet Pacolli theksoi se Koalicioni për Familjen mbron shtyllën kryesore të shoqërisë.
“Familja ka qenë e shenjtë, mbetet e shenjtë. Mos i dëgjoni njerëzit që nuk kanë as karakter, as edukatë. E kanë humbur moti. Që nuk e vlerësojnë familjen”, theksoi Pacolli.
Ndërkaq, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, u shpreh se familjet janë vënë në sprova të papritura nga qeverisjet e paafta e të papërgjegjshme.
“Këto ditë, këto familje janë vënë në sprova të papritura që vine, nga njëra anë nga qeverisjet e paafta e të papërgjegjshme, e nga ana tjetër nga agjendat globale të çoroditura. Pasojat e këtyre zhvillimeve kaotike dhe funksionimit të vështirësuar të familjes janë duke e vuajtur çdo anëtarë, çdo gjeneratë. Janë duke e vuajtur fëmijët, burri e gruaja, edhe gjyshërit e gjyshet nga vetmia të cilët papritur po ballafaqohen në ditët e tyre të pleqërisë”, u shpreh Agani.
Ndërkaq, kandidati për deputet, Selim Pacolli, tha se koalicioni është i përkushtuar për të bashkëpunuar me qytetarët për zgjidhjen e problemeve me të cilat ata përballen.
“Përfaqësoj bashkimin e vlerave të njerëzve të devotshëm. Një familje e shëndoshë është një shoqëri e shëndoshë, e cila përbën një komb të shëndoshë. Ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, lirive dhe të drejtave të çdo qytetari, me theks të veçantë të fëmijëve. Sistemi i arsimit është baza kryesore ku duhet të intervenohet. Nevoja për të nxjerrë breza që dashurinë për atdheun e shprehin përmes punës. Vend të veçantë në këtë program ka shkenca dhe inovacioni”, ka thënë ai. “Zhvillimi ekonomik dhe siguria mbetën po ashtu dy shtylla të rëndësishme të këtij programi. Fusha e kulturës, libri, teatri, filmi, sporti do të shihen me vëmendje të shtuar. Jemi të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve ideale dhe të punojmë ngushtë me qytetarin”.
Lista për familjen është një grup subjektesh politike e aktivistësh, që kanë kundërshtuar ndryshimet në Kodin Civil, me të cilat do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.