Koalicioni i organizatave joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, kanë rekomanduar të enjten të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.
Në konferencën e së enjtes u prezantua raporti me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”.
Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS-ja ka paraqitur rekomandimet e nxjerra nga koalicioni i OJQ-ve, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL.
“Koalicioni rekomandon që komisioni vlerësues të publikojë vlerësimin me arsyetimin mbi poentimin për secilin kandidatë, në mënyrë që të arrihet transparencë e plotë deri në fundit të procesit. KPK-ja të anulojë procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit për shkak të shkeljeve procedurale dhe defekteve të evidentuara nga koalicioni i OJQ-ve; të shpallet konkurs i ri duke vazhduar me praktikën e njëjtë të transparencës sa i përket publikimit të koncept-dokumentit dhe procesit të intervistimit. KPK-ja të plotësojë dhe ndryshojë rregulloren për procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, në formularin e koncept-dokumentit ngase i njëjti nuk siguron meritokraci; pyetjet në koncept-dokument duhet të orientohen më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit dhe formulohen në atë mënyrë që të vlerësojnë shkathtësitë dhe aftësitë se sa njohuri të përgjithshme”, ka thënë Hoxha-Zhuja.
Po ashtu, koalicioni i OJQ-ve ka rekomanduar që intervista të jetë e strukturuar dhe ky nivel të ruhet gjatë gjithë procesit dhe me të gjithë kandidatët. Është kërkuar të evitohet praktika e këtij konkursi, ku sipas Hoxha-Zhujës, ka pasur qasje të pabarabartë të kandidatëve.
Koalicioni ka rekomanduar edhe që paneli vlerësues sipas detyrës zyrtare duhet të hulumtojë të kaluarën e secilit kandidat, dhe të paraqesë pyetje të njëjta për secilin kandidat, në mënyrë që të evitohet praktika që e ka ndjekur ky panel, e që sipas Hoxha-Zhujës, ka qenë i pabarabartë sidomos te pjesa e integritetit.
“Disa kandidatë janë pyetur dhe janë sfiduar me pyetje shtesë, ndërsa te disa të tjerë shumë çështje që kanë qenë publike kanë kaluar në heshtje”, ka thënë ajo.
Sipas Hoxha-Zhujës, asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi të mjaftueshme për ta marrë një pozitë të tillë, prandaj e njëjta ka kërkuar që ky proces të anulohet.
“Nëse vazhdohet ky proces, do të kishim një Kryeprokuror, i cili nuk i plotëson standardet minimale për të marrë këtë pozitë, i cili është mbivlerësuar me pikët maksimale, dhe një Kryeprokuror që nuk ka arritur të vërtetojë shkathtësitë e tij për të udhëhequr me zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, përfundoi Hoxha-Zhuja. /BetimipërDrejtësi