Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate të shtunën nisën fushatën zgjedhore me homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, ka thënë se Prekazi është themeli i demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ai u shpreh se vizita në Prekaz është rikujtim i përmbushjes së amanetit të rënëve për liri, për zhvillimin dhe vendosjen e shtetit të Kosovës në nivel me vendet e zhvilluara.
“Prekazi na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe për demokraci. Prej këtu nisemi për parlamentin e Kosovës me 9 shkurt me votën e qytetarëve, e që të vazhdojmë për Kosovën fituese, anëtare e NATO-së e zhvilluar ekonomikisht dhe e barabartë me shtetet e zhvilliara pra në tavolinën e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka deklaruar se koalicioni i tyre synon që të vazhdojë veprat e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
“Ardhja jonë ka simbolikën për të vazhduar të gjitha ato vepra të mëdha të atdhetarëve tanë, të komandantit legjendar dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri për të vazhduar ne në shtet-ndërtimin tonë dhe ne do të vazhdojmë fuqishëm, do t’i bartim ato vlera historike me krenari, ato janë të përjetshme, ato vazhdojnë të jetojnë brez pas brezi”, ka thënë Limaj.
Ndryshe nga koalicioni AAK – Nisma, Lëvizja Vetëvendosje sot pasdite do ta nisë fushatën në Gjakovë. Ndërsa dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike do ta nisin fushatën në Prishtinë.