Koalicioni mes AAK-së, Nismas, Intelektualëve, Konservatorëve e Ideal kanë mbajtur tubim elektoral në Malishevë. Nga aty, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, akuzoi qeverinë për mungesë projektesh në këtë komunë.
Me tupanë e me muzikë u pritën simpatizantët e koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumi i Intelektualëve, Konservatorëve e Ideal në Malishevë.
Palestra e sporteve “Habib Zogaj” u konsiderua e pamjaftueshme për t’i zënë të gjithë nga kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, meqë pjesëmarrjen qytetarëve në tubim e vlerësoi masive.
E pati edhe një sugjerim për t’ua lehtësuar procesin e votimit atyre.
Nga Malisheva u dërgua edhe një përshëndetje në Hagë, ku është duke qëndruar kandidati për deputet nga ky koalicion, Isni Kilaj, pasi u arrestua nga Dhomat e Specializuara në dhjetor të vitit të shkuar.
Brohoritjet u intensifikuan me ngjitjen në skenë të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj.
Ai e pati të vështirë të niste fjalimin.
“Lemni t’i foli dy fjalë o burra”, u shpreh ai.
Fjalimin e vazhdoi duke ironizuar me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila një ditë më herët mbajti tubim në këtë hapësirë.
“Kanë shkel nëpër veprat tona me ardh këtu…”
Me Lëvizjen Vetëvendosje u mor edhe kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Ai akuzoi qeverinë për trajtim jodinjitoz të veteranëve të UÇK-së.
Koalicioni në Malishevë premtoi zhvillim ekonomik, ndërtim të autostradës së Dukagjinit e trajtim dinjitoz të veteranëve të UÇK-së.