Arbëri

KMFB: Të shqetësuar me gjetjet e auditorit për KURA `Prishtina`

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike i kanë vlerësuar shqetësuese gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, për vitin 2019.

Sipas tyre zhdukja e aseteve të vjetra, mos regjistrimi i atyre të rejave, dëmtimi i konsumatorëve kanë qenë disa nga shqetësimet që kanë ngritur deputetët.

Vlora Nimani Hajnuni, anëtare e këtij Komisioni ka thënë se raporti i vitit 2019 për dallim të kaluarit, është shqetësues.

“Auditori thekson se kjo ndërmarrje ka angazhua një kompani për vlerësimin e aseteve. Kompania posedon dokumente disa asete, por ato nuk ekzistojnë në kompani. Kjo është vërejtje materiale. 1374 asete me vlerë rreth 11 milionë s’kanë qenë të përfshira në regjistrin e kompanisë. Kemi zhdukje të aseteve të vjetra e mos regjistrim të atyre të reja. Përkundër që kjo kompani ka arkëtuar 569 mijë euro nga konsumatorët, s’ka bërë zbritje dhe ka dëmtuar ata konsumatorë që kanë qenë korrektë në pagimin e borxheve duke mos e shlyer fare borxhet”, ka thënë Hajnuni.

Ajo po ashtu ka thënë se emërimi i zëvendëskryeshefit ekzekutiv është bërë duke thyer rregullat.

Kryeshefi ekzekutiv Sokol Xhafa nga Kompania e Ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se ai ka marrë drejtimin pas bërjes së raportit, duke shprehur shqetësim për gjetjet.

Ai po ashtu ka dhënë sqarime për disa nga pyetjet që kanë shtruar anëtarët e Komisionit.

“Pjesën e Raportit të Auditorit e kemi marr me shqetësim të jashtëzakonshëm. Për fat të keq ne jemi emëruar vonë e s’kemi qenë në pozita menaxheriale. Unë s’kam qenë pjesë e komisioneve. Ne si ndërmarrje menjëherë pas raportit të auditimit kemi ngritur komisione dhe po e trajtojmë me prioritet. Një pjesë të atyre gjetjeve i kemi zbatuar. Pjesa e gjetjeve për të cilave mund të sigurojmë dokumentacione mund të zbatohet, por një pjesë e gjetjeve mund të kemi vështirësi në zbatimin e tyre. Jemi duke u munduar si menaxhment i ri t’i zbatojmë, po është pjesë sfiduese sepse kërkojnë kohë për t’u zgjidhur”, tha ai.

Anëtari i komisionit nga PDK, Sejdi Hoxha e ka pyetur nëse kanë dokumente apo provë që kanë reaguar për këto gjetje të Auditorit, gjatë ushtrimit të detyrave tuaja?

Ali Berisha nga AAK, ka thënë se ky menaxhment është dashur të ketë një plan veprimi.

Eman Rrahmani nga Vetëvendosje ka thënë se ky raport është ndër më shqetësuesit që kemi marrë duke pyetur nëse janë dërguar në prokurori ndonjë nga këto gjetje.