Arbëri

Klinaku: ZPS-ja iu flet serbisht dëshmitarëve dhe u ofron banim jashtë Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, deklaroi se disa dëshmitarëve, Zyra e Prokurorisë Speciale në Dhomat e Specializuara iu flet serbisht dhe iu premton banim jashtë Kosovës vetëm për dëshmi të rrejshme.

Ai shkroi në Facebook të mërkurën se këta dëshmitarë po e refuzojnë këtë “kërkesë” të ZPS-së, ndërsa theksoi se nuk do të përmend emra “sepse me siguri me skandalin e radhës ZPS-ja do t’i bëjë publike”.

“Ka raste të dëshmitarëve që unë i di e që ZPS ju flet edhe serbisht dhe ju premtojnë strehim e banim jashtë Kosovës, vetëm e vetëm që të japin dëshmi të rrejshme kundër krerëve të UÇK-së, por ata janë duke refuzuar. Po të kishin frikë ata dëshmitarë, nuk do të tregonin dhe nuk do ta bënin vet publike e duke treguar se kanë dhënë dëshmi. P.S. Nuk po përmendi emra, sepse me siguri me skandalin e radhës do t’i bëjnë publike vet ajo zyrë e fëlliqur në Hagë”, tha Klinaku.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku bëhen të ditur emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.