Arbëri

Klinaku intervistohet nga Policia pas postimit për Kurtin

Faton Klinaku

Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), është intervistuar nga Policia e Kosovës, pas një postimi në rrjetin social Facebook, ku tha se më parë do ta vriste kryeministrin Albin Kurti sesa që do t’ia lëshonte rrugën e të ikte nga Kosova.

Avokati i tij, Ramë Dreshaj, ka konfirmuar për KOHËN intervistimin nga Policia. Ai ka thënë se deklarata e Klinakut është “nxjerrë nga konteksti”.”

“Hetuesit policorë e kanë marrë në pyetje rreth postimit që ka bë në Facebook. S’e ka mohuar se është postim i tij, mirëpo ka dhënë arsyet e rrethanat se qysh ka ardh deri tek ai postim dhe është deklaruar në mënyrë decidive se ‘nuk e kam kanosur e as nuk kanos për vrasjen e Albin Kurtit’. Arsyetimin e ka dhënë, në deklaratën që tash e ka Prokuroria Speciale, se e ka takuar një anëtar të VV-së dhe kanë hyrë në bisedë dhe e ai i ka thënë se e ka votuar këtë Qeveri për ndryshim dhe ‘jam zhgënjyer e do ta lë Kosovën’, e se ky (Klinaku) i ka thënë atij se kushedi çfarë arsye s’duhet me e lëshu Kosovën. Bazuar në këto fjalë e ka bërë këtë postim... mirëpo edhe disa media e disa shikues i kanë dhënë ngjyrë tjetër.... Është nxjerrë prej konteksti, pjesa te ‘vrasja e Kurtit’”, ka thënë Dreshaj, që ka deklaruar se rasti pas intervistimit po trajtohet në procedurë të rregullt nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se Klinaku është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar për veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’. Është liruar në procedurë të rregullt. 

Përmes një postimi mbrëmjen e së martës, Klinaku ka shkruar se më parë do ta vriste Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sesa të largohej nga Kosova.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij saqë tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka por po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova. P.S Kosovën nuk duhet, e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të”, ka shkruar ai.

Ndërsa, në postimin e dytë, ai tha se nëse mediave iu duket postimi i tij skandaloz, atëherë e ripërsërit atë që kishte thënë.