Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale në Gjykatën Speciale që t’ia publikojë bisedat me bashkëluftëtarët e tij, që po mbahen në Hagë, nëse veç janë përgjuar.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Gjykata vendosi t’ua ndalojë kontaktet tre të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, bazuar në kërkesën e Prokurorisë që pretendonte se tre të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë. Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.
Prokuroria ka publikuar edhe transkripte që, sipas saj, janë nga bisedat me të tjerët që kanë realizuar Thaçi, Veseli e Selimi.
“Nëse ZPS më ka përgjuar edhe mua kur kam qenë në vizitë të 8 bashkëluftëtarëve në Hagë, mirë bëjnë që ta publikojnë, sepse veç për realitetin kemi folur”, ka shkruar Klinaku të premten në Facebook.
Në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Pjetër Shala në paraburgim, ndërsa janë dënuar Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Sali Mustafa.