Arbëri

Klina për 6 muaj ka realizuar mbi 30 projekte kapitale

Klinë, 30 qershor- Komuna e Klinës në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka dhe po realizon mbi 30 projekte kapitale në fusha të ndryshme, arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore, ujore, kanalizim, bujqësi e tjera.

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, gjatë prezantimit të raportit ekonomiko-financiar dhe investimeve në periudhën janar-qershor 2017, para anëtareve të Kuvendit të Komunës së Klinës, ka thënë se pushteti lokal në Klinë gjatë kësaj periudhe vazhdon të mbetet i përkushtuar në përmirësimin e mëtejshëm të ofrimit të shërbimeve në të gjitha fushat e jetës. Sipas tij, rëndësi e veçantë i është dhënë arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, infrastrukturës në përgjithësi.

Në saje të qeverisjes së mirë, siç është shprehur Bashota, gjatë kësaj periudhe janë realizuar dhe janë në procesin e realizmit e kontraktimit mbi 30 projekte kapitale, siç janë ato të asfaltimit të rrugëve në Jashanicë, Kpuzë-Qeskovë, Shtupel, Stupë-Zajm, Deiq dhe në qytetin e Klinës. Është duke u punuar në rehabilitimin e shtratit të lumit Drini Bardhë, ndërsa po rregullohen edhe kanalizimet në Jashanicë, Gjurgjevik të Vogël dhe Caravikë. Një projekt tjetër kapital është fillimi i punimeve në ndërtimin e Qendrës Rinore, me vlerë 250 mijë euro.

Bashota shprehet se kujdes i është kushtuar edhe arsimit. Kanë përfunduar tri objekte të reja shkollore moderne - në Jashanicë, Perqevë dhe Kpuz, të cilat kanë kushtuar mbi 1 milion euro. Do të ndërtohet edhe objekti i ri i shkollës “ Ismet Rraci” në Klinë. Këtë periudhe 6 mujore komuna e Klinës nga buxheti komunal në objektet tjera shkollore ka investuar 62 mijë e 270 euro dhe ka ndarë 20 bursa për studente, nga 500 euro për person, gjithsej vlera 10 mijë euro.

“Kemi ndërtuar një administratë të qëndrueshme, efikase dhe të përgjegjshme, e cila po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe është duke ofruar shërbime me standarde profesionale. Të gjitha kërkesat procedohen me shpejtësi dhe kujdes të veçantë. Komuna e Klinës ka shënuar progres përmes funksionalizimit dhe përdorimit të E-Kioskut, ku qytetarët mund të pajisen me 5 lloj të dokumenteve civile 24 ore. Përveç kësaj është në proces edhe riparimi i zyrës së gjendjes civile në fshatin Gllarevë.

Bujqësia mbetet njëra ndër prioritet e qeverisë lokal, tha Bashota. Në këtë favor është në ndërtim e sipër kanali ujitës Zllakuqan-Radulloc 1016 metra, që ka kushtuar 27 448 euro, përmes të cilit do të ujitën mbi 100 hektarë tokë me mundësi vazhdimi të këtij projekti, nga i cili do të ujiteshin mbi 250 hektarë tokë të kësaj ane. Po ashtu edhe ndërtimin e kanalit të ujitjes në Grabanicë ( të penda e Ukë Sahitëve) ku do të ujitën 100 hektarë tokë. Ky projekt është në realizim dhe ka kushtuar 29 317 euro. Në bashkëfinancim me Ministrinë e Bujqësisë është në përfundim e sipër projekti i ndërtimit të kanalit të ujitjes i gjatë 4250 metra Stupë-Budisalc- Krushevë e Madhe, që do do të ujitë mbi 300 hektarë tokë. Planifikohet edhe ndërtimi i kanalit të ujitjes në Dellovë, i gjatë 1300 metra.

Sa i përket shërbimeve publike, gjatë kësaj periudhe janë arritur rezultate të mira sidomos në krijimin e një ambienti sa më të pastër. Është bërë heqja e deponive ilegale në zonat rurale në 47 pika të komunës së Klinës. Ky projekt ka kushtuar 16 840 euro.

Klina, ndërkohë, ka fituar një grant nga Qeveria e Japonisë në vlerë prej 68,220 kurse granti tjetër është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë në emër të zbatimit të të drejtave të garantuara të komuniteteve RAE në Komunë e Klinës në vlerë prej 10.000 €. Janë kryer të gjitha procedurat dhe jemi në proces të pritjes për marrjen edhe të një autoambulance tjetër nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë prej 70.000 €. Në investimet kapitale janë paraparë edhe renovimi dhe sigurimi i aparaturave për shërbimin e urgjencës në QKMF-në “Nënë Tereza” në Klinë, renovimet e QMF-ve në Ujmirë, Zllakuqan dhe Sferkë dhe 4 AMF-ve.

Sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve, të hyrat kanë shënuar rritje ndërsa janë zvogëluar shpenzimet, ka thënë kryetari i kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, për të shtuar në fund se “do vazhdojmë edhe në të ardhmen të realizojmë objektivat tona të cilat janë përtej planifikimeve vjetore dhe kjo falë një qeverisje të mirë të pushtetit lokal”.

{gallery}