Pas dëmtimit të derës së një objekti kishtar në Prizren nga tre persona të mitur, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe i shprehën mirënjohje Policisë së Kosovës, për reagim të shpejtë dhe për zbulimin e autorëve. Ata propozuan realizimin e vizitave të nxënësve në ndërtesat sakrale me vlerë, meqë të përfshirët në incident ishin të mitur.
Përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe i kanë shprehur mirënjohje Policisë së Kosovës, për reagim të shpejtë dhe zbulimin e kryesve të dëmtimit të derës së ndërtesës sakrale kushtuar “Shën Panteleonit” në Prizren.
Në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, famullitar i Prizrenit, Jovan Radiq, propozoi realizimin e vizitave të nxënësve në objektet me vlerë të Kishës Ortodokse, meqë të dyshuarit për incidentin janë të mitur.
“Propozimi im është që të punohet më shumë në edukimin e fëmijëve për tolerancën fetare, si dhe për vizitat e fëmijëve në objektet fetare me vlerë në qytetin e Prizrenit, në mënyrë që ata të mos i shohin objektet dhe Kishën Ortodokse si armiq të tyre, ndaj të cilëve nesër mund të hedhin koktej, por të vijnë, të vizitojnë dhe të shohin se Kisha nuk është armik i askujt dhe se Kisha është shtëpi për çdo qytetar të këtij qyteti, pavarësisht nga përkatësia e tij fetare”, ka thënë Radiq.
Lista Serbe e edhe Qeveria e Serbisë e kanë politizuar incidentin dhe e kanë prezantuar dëmtimin e derës së ndërtesës sakrale kushtuar “Shën Panteleonit”, si akt që për synim ka frikësimin e serbëve.
Vebih Zekolli, komandant i Stacionit Policor në Prizren, tha se incidenti, ndonëse është rast i izoluar, ka ndikuar në zbehjen e imazhit të qytetit.
pas veprimeve që kemi ndërmarrë ky besim është kthyer, besimi i qytetarëve, por edhe i Kishës në këtë rast është kthyer dhe është i paluhatshëm, në vazhdimësi në bashkëpunim, por edhe në reagim për rastet që mund të ndodhin”, ka theksuar Zekolli.
E, kryetari Shaqir Totaj shfaqi besimin se të gjithë anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi do të kontribuojnë që rastet e tilla të mos ndodhin më.
“Natyrisht se shprehi keqardhje, edhe jam i sigurt se të gjithë ne që jemi prezent këtu do të bëjmë maksimumin që në të ardhmen këto gjëra të mos na ndodhin, sepse nuk i ka hije as traditës, as kulturës, as civilizimit të qytetit tonë, edhe jam shumë i bindur se nuk do të ketë. Edhe nëse ndodh ndonjë, do të jetë rast i izoluar”, ka deklaruar Totaj.
Dera e ndërtesës sakrale kushtuar “Shën Panteleonit” në Prizren është dëmtuar në mbrëmjen e 17 prillit, nga zjarri i ndezur prej tre të miturve. Zjarri u fik nga një banor i lagjes.