Arbëri

Kinolli flet për pozitën e komunitetit rom në Kosovë, kërkon më shumë hapësirë në arsim

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, i cili do të manifestohet më 8 prill, i ftuar në Express Intervistën në KTV, ishte i ftuar Albert Kinolli, deputeti i Partisë Rome në Kuvendin e Kosovës.

Kinolli, ka folur për pozitën e komunitetit rom në Kosovë, dhe ka treguar se sot ka pasur takime me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi.

Ndër të tjera, Kinolli ka treguar se për sa i përket arsimit, ky komunitet ende sheh vështirësi në proceset mësimore.

“Mësimi në gjuhën rome zhvillohet si mësim fakultativ vetëm në disa komuna. Por, ende nuk është arritur që gjuha jonë të njihet siç duhet”, tha ai.

Ai ka treguar se mësim fakultativ zhvillojnë thuajse vetëm në Prizren, dhe madje hasin në mungesë të mjeteve të punës dhe mungesë të kuadrove. E për këtë, edhe këta pak mësues që japin mësim deri në 4 orë në javë, ai ka treguar se paguhen pak.

“Fëmijët e komunitetit rom e njohin afër 80 për qind gjuhën shqipe, një përqindje mësojnë dhe e njohin gjuhën turke një përqindje atë boshnjake, dhe të tjerët janë me mungesa të kushteve ekonomike”, shtoi ai.

Kinolli, ka thënë se ndryshe prej viteve tjera, komuniteti rom do ta manifestojë këtë ditë më ndryshe, ka thënë se s’do të ketë tryeza të rrumbullakëta e diskutime disa orëshe, por duan të dalin në terren e të veprojnë më shumë.

“Jemi të lumtur që jemi rom dhe pjesë e Republikës së Kosovës. Një manifestim dhe ndihmë ka ardhur edhe nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.

“Në historinë e re të Kosovës, për ne ka diskriminime pozitive, jo negative, ne kemi pasë përparësi të mëdha në shumë sfera, ne sot falë vullnetit tonë jemi pjesë e Qeverisë, për fat të mirë jemi pjesë edhe në Ministrin e Arsimit”, tha ai.

Komuniteti rom, është i përfshirë thuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por më së shumti në komunën e Prizrenit, pra me 5.500 rom.