Arbëri

Kica-Xhelili: Vota e mërgatës për LDK-në do të mbrohet nga akuzat e pabaza

Doarsa Kica-Xhelili

Njëra prej kandidateve më të votuara të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj akuzave të fundit mbi procesin e votimit me postë, duke theksuar se vota e mërgatës për LDK-në do të mbrohet nga çdo sulm dhe akuzë e pabazë.

Sipas saj, nga 40 mijë votues të deklaruar të LDK-së në mërgatë, kanë arritur të votojnë rreth 20 mijë, një rezultat që, ndonëse pozitiv, ka qenë më i ulët se pritjet e partisë.

“Ishte synimi ynë që t’i kthehej vota LDK-së në diasporë, dhe pavarësisht se arritëm vetëm gjysmën e rezultatit të synuar, edhe kjo po i pengon partisë në pushtet”, u shpreh Kica-Xhelili.

Kica-Xhelili kritikoi qeverinë dhe Vetëvendosjen për standardet e dyfishta në trajtimin e votave të diasporës. Ajo theksoi se VV-së nuk i kishte penguar “80% që mori në konsulata, as dyshimet për fletëvotime pa vulë, as votat që i mbante lart e poshtë Martinë Berishaj, as dyshimet mbi trenin bullgar në disa komuna dhe as aktivitetet e organizuara nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, përmes përfaqësive diplomatike”.

Ajo gjithashtu akuzoi eksponentë të VV-së për presion në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke pretenduar se ata kishin bërë përpjekje për të anuluar votat e LDK-së me çdo kusht.

“Ata do të shajnë e ofshajnë për çdo rritje e ngritje tonën, por ngritja jonë prej 70 mijë votash është vetëm fillimi i ringritjes sonë”, deklaroi ajo.

Kica-Xhelili përfundoi duke theksuar se LDK-ja do të vazhdojë të mbrojë çdo votë të fituar në mënyrë të ndershme dhe demokratike, pavarësisht sulmeve të kundërshtarëve politikë.

Më herët, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka hedhur dyshime për manipulime në votat me postë, duke përfshirë shpalljen e qindra fletëvotimeve të pavlefshme dhe rritjen e dyshimtë të votave për LDK-në.

Nga numërimi i votave me postë, LVV-ja e para ka marrë 31.963 vota apo 51.57 për qind. Lidhja Demokratike (LDK) është renditur e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind, pasuar nga Partia Demokratike (PDK) me 5.878 vota apo 9.48 për qind. Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 2 mijë vota apo 3.23 për qind.