Shtyrjet e shumta të seancave nëpër gjykata të vendit, janë konsideruar si fenomen shqetësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Kjo çështje është ngritur në mbledhjen e radhës nga KGJK, ku kanë mbërritur të dhëna të mbledhura nga misioni i EULEX-it, raporton KTV.
Megjithëse nuk është propozuar ndonjë masë për këtë çështje, ka pasur diskutime që statistika të tilla të mblidhen nga vetë Këshilli.
Ky institucion ka marrë vendim që t’i lirojë nga pagesat viktimat e dhunës seksuale nga lufta dhe personat me nevoja të veçanta.
Gjithashtu, në mbledhjen e KGJK-së, është folur edhe për sulmin fizik ndaj gjyqtarit nga Vushtrria, Rifat Bllata.
Ndër pikat e rendit të ditës që janë diskutuar, ka qenë edhe shqyrtimi i kërkesës së kryetarit të Gjykatës Supreme, për shpallje të 3 pozitave për gjyqtarë në këtë gjykatë, për çka, pas analizës nga Zyra Ligjore, është dhënë pajtimi për hapjen e këtij konkursi.