Kërkesë e gjyqtarëve

KGJK do që gjyqtarët të mos hetohen për punën e tyre

Këshilli Gjyqësor ka iniciuar nismë ligjore nëpërmjet së cilës synon që gjyqtarët t’i mveshë me imunitet të plotë nga ndjekja penale.

Draftligji për statusin e gjyqtarëve, të cilin Këshilli e ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, pamundëson edhe hetimin e gjyqtarëve.

“Ndaj gjyqtarit nuk mund të iniciohet procedura penale për veprat penale që ndërlidhen me detyrën e tij dhe nuk mund të arrestohet e as të paraburgoset pa lejen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në draftin e KGJK-së.

Drafti lë vetëm një mundësi kur gjyqtarët mund të arrestohen – kur zihen në flagrancë duke kryer vepër penale të dënueshme më shumë se 5 vjet burgim.

“Përjashtimisht, gjyqtari mund të arrestohet dhe paraburgoset pa lejen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nëse kapet në flagrancë gjatë kryerjes së veprës penale të kryer në lidhje me detyrat gjyqësore, për të cilat parashihet dënimi me burg në kohëzgjatje më tepër se pesë vjet. Për këtë njoftohet Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thuhet tutje në të.

Nëse Projektligji për Statusin e Gjyqtarëve nuk kalon, KGJK-ja ka paralajmëruar se do të tërheqjet nga pjesëmarrja në hartimin e ligjeve të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, në kuadër të asaj që e ka quajtur reformë në drejtësi.

Sikur nenet e propozuara nga KGJK-ja të ishin në fuqi, nuk do të mund të ndërmerreshin veprime ndaj një numri gjyqtarësh të dyshuar për korrupsion, si: ish-gjyqtarja Nexharije Hoti që akuzohet në rastin e tokës 33-hekatrëshe; katër ish-gjyqtarët e ish-gjykatës së Qarkut në Prishtinë të dënuar për tjetërsim të pronës në vlerë 60 milionë euro; e edhe ish-gjyqtari Lekë Prenaj i akuzuar për tjetërsim të një prone milionëshe.

Në një përgjigje për KOHËN, KGJK-ja nuk arsyetoi nenet e projektligjit që lidhen me amnistinë e gjyqtarëve.

“Ju njoftojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Gjykata Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, Ministria e Drejtësisë, më datën 14 mars 2023, kanë nënshkruar Deklaratën e Përbashkët të Zotimit, sipas së cilës institucionet nënshkruese zotohen për një pako të reformave si: performanca, rekrutimi, disiplinimi, verifikimi, zhvillimi profesional, statusi i gjyqtarëve, e çështje të tjera”, ka thënë KGJK.

E Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar mospajtim me disa pika të dokumentit të pranuar nga KGJK-ja. Ai ka shprehur vërejtje edhe për privilegjet financiare që parasheh dokumenti.

“Në këtë përmbajtje, bazuar edhe në rrethanat ekonomike, nuk mund të procedojmë tutje me disa privilegje financiare për gjyqtarët dhe prokurorët”, u shpreh ai. 

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor janë përfshirë në një cikël akuzash e kundër akuzash për çështjet që lidhen me hartimin e pakove ligjore, që janë quajtur reformë e sistemit. Përfaqësues të Këshillit e kanë lëshuar takimin e fundit shkaku se Ministria nuk pranoi që të çohej përpara ideja për ligjin për statusin e gjyqtarëve, e që parasheh përfitime shtesë për gjyqtarët, duke përfshirë edhe ato financiare.