Arbëri

KFOR-i thotë se u njoftua “pak para” aksionit të Policisë në Bankën Postare Kursimore

Para të konfiskuara në Bankën Postare Kursimore

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është njoftuar “pak para” aksionit të Policisë në veri në gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore të hënën.

Në një njoftim për media, KFOR-i ka thënë se personeli i tij nuk ka qenë i përfshirë në aksion.

Po ashtu, KFOR-i ka thënë se “pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

Teksa ka thënë se vazhdon ta përkrahë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, KFOR-i ka shtuar se kjo është e vetmja rrugë për zgjidhjen e çështjeve dhe gjetjen e zgjidhjeve.

Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Në to u konfiskuan rreth 1.6 milionë euro.

Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.

E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb. 

Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm euro.

Ndaj aksionit reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit që e cilësoi veprimin si përshkallëzues të tensioneve. Edhe Bashkimi Evropian ka deklaruar se ky veprim nxit tensione.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se çdo veprim ka qenë i bazuar mbi ligjshmërinë.