Arbëri

KFOR-i mohon se negocioi me sulmuesit e Banjskës për të ikur

NATO dhe KFOR

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radoiçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Serbe. Ai po vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi. Në Sofje, Asambleja Parlamentare e NATO-s do t’i zhvillojë punimet edhe të hënën, ku pritet të votohet për kërkesën e Kosovës që t’i avancohet statusi, nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Serbia ka vazhduar me lobimin kundër

Misioni i KFOR-it në Kosovë e ka quajtur të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, pjesë të të cilit u përfshinë në draftraportin që e prezantoi të shtunën, në nisje të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, raportuesi Mark Lancaster.

Në draftraportin thuhet se KFOR-i ka negociuar me tërheqjen e sulmuesve serbë pas sulmi në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në reagimin e KFOR-it, të dielën, thuhet se kjo nuk është e vërtetë pasi “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.

“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendusur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në reagimin e KFOR-it thuhet, po ashtu, se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë.

“Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Draftraporti “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”, i paraqitur të shtunën në Sofje, përfshin edhe të dhëna nga raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (2 prill), në të cilin jepen hollësi për sulmin e fundshtatorit të 2023-s.

“Pas një periudhe të shkurtër të përshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë, si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash antitank, lansues mortajash dhe granatash, mina antitank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet në draftraportin e prezantuar nga Mark Lancaster.

Përgjegjësinë për këtë sulm e mori Milan Radojçiq, deri atëherë nënkryetar i Listës Serbe. Ai po vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Në Sofje, Asambleja Parlamentare e NATO-s do t’i zhvillojë punimet edhe të hënën, ku pritet të votohet për kërkesën e Kosovës që t’i avancohet statusi, nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar. Serbia ka vazhduar me lobimin kundër.

Delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre i ka kërkuar kësaj asambleje që të mos ia japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asociuar.

Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos e miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asociuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asociuara, 4 vende të asociuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

Megjithatë, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

Aktualisht anëtare të asociuara janë nëntë - në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Kuvendi i Kosovës, prej vitesh, është delegacion vëzhgues me dy ulëse. Me ngritjen e nivelit të përfaqësimit do të zgjerohej edhe delegacioni pjesëmarrës kosovar.

Ndërkaq, në njoftimin e Parlamentit serb u tha se dhënia e një statusi të tillë do të paraqiste shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Siç thuhet në njoftim, zëvendëskryetarja e delegacionit serb, Natasha Jovanoviq, ia rikujtoi Asamblesë Parlamentare të NATO-s kompeksitetin e çështjes duke pasur për bazë situatën në Kosovë “pasi bëhet fjalë për shkëputje të njëanshme të një pjese të territorit, të një shteti të njohur ndërkombëtarisht”. Sipas Jovanoviqit, çështjet territoriale duhet të zgjidhen përmes një marrëveshjeje.

Serbia, po ashtu, akuzoi Kosovën se po refuzon të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në Bruksel dhe, sipas Beogradit, 11 vjet pas marrëveshjes së arritur nuk po e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, Prishtina ende nuk ka ndërmarrë hapa që të formojë Asociacionin.

Kosova humbi rastin që në mes të majit të bëhej anëtare e organizatës së Këshillit të Evropës për shkak se Asociacioni u vendos si kusht. Kosova përmes një letre dërguar kësaj organizate tha se do t dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim një draftstatut për Asociacionin, në këmbim të pranimit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se draftstatuti do të frymëzohej nga ai që ka paraqitur organizata gjermane “Friedrich-Ebert-Stiftung”, e jo draftstatuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Por Kosova nuk u fut në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt më 16 dhe 17 maj në Strasburg. Megjithatë, Këshilli i Evropës ka thënë se po e shqyrton mënyrën se si të procedojë me rastin e Kosovës.