Të premten është inauguruar impianti me 32 tabela solare të vendosura në njërin prej kulmeve të objektit të administratës komunale të Pejës. Ky impiant solar për prodhimin e energjisë alternative ju dhurua Komunës së Pejës nga forcat paqeruajtëse të KFOR-it italian.
“Projekti ka rëndësi shumë të madhe. Ka kuptim të modernizmit dhe me ecë në hap me kohën, respektimin e ambientit dhe me vetë faktin se ky impiant solar është bërë në komunë, të jetë një shembull për qytetarët që të shtojnë shfrytëzimi i impianteve solare për energji alternative dhe ruajtjen e mjedisit”, u shpreh në këtë inaugurim nënkoloneli italian Antonio Bernardo, komandant i Batalionit Kinetik të forcave italiane në Kosovë.
Ushtaraku italian nuk e tregoi vlerën e projektit, për të cilin në emër të komunës ju falënderua drejtori i Financave, Jeton Abazaj.
“Falënderoj KFOR-in italian për këtë donacion shumë të rëndësishëm.
Me impiantin solar, komuna do të shfrytëzojë energjinë alternative dhe njëkohësisht do të kursejë edhe mjete për shpenzimin e energjisë elektrike nga rrjeti elektrik. Jemi ndër komunat e para që falë KFOR-it italian shfrytëzojmë një mundësi të tillë”, u shpreh Abazaj.
Sipas inxhinierit të kompanisë së kontraktuar nga KFOR-i për këtë projekt, Xhevat Muça, ky impiant solar prodhon deri në 10 kilovatë rrymë. Dhe, sipas tij, shpenzimi mbi këtë sasi të rrymës merret nga rrjeti i zakonshëm elektrik.
Muça sqaroi se rryma e prodhuar nga panelet solare, të cilat, sipas tij, janë të teknologjisë së fundit, janë burimi primar i energjisë elektrike për objektin e komunës.
Ndërsa, në hyrje të objektit të komunës është vendosur edhe një tabelë digjitale në të cilën mund të shihet sasia e rrymës që prodhohet në moment nga tabelat solare dhe sasia e rrymës që shpenzohet nga rrjeti elektrik.