Arbëri

KFOR-i është i gatshëm për çdo lloj aksioni

Linjat e hapura të komunikimit janë prioritare në ruajtjen e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Kështu thotë komandanti suprem i Forcave të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Tod Wolters, i cili këtë javë qëndroi për vizitë në Kosovë.

Në një intervistë ekskluzive për KOHËN, dhënë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, të enjten, gjenerali Wolters thotë se përshtypja e tij për situatën në Kosovë është se mbretëron qetësia, dhe shprehet i kënaqur me përmbushjen e misionit të KFOR-it, që është mbajtja e një ambienti të qetë e të sigurt.

I pyetur nëse Serbia paraqet kërcënim për Kosovën, gjenerali amerikan thotë se nuk është i sigurt nëse do ta kishte karakterizuar situatën ashtu, por thekson se situata në terren është e qetë dhe linjat e komunikimit mes KFOR-it dhe Beogradit janë të hapura për çdo eventualitet.

I pyetur edhe rreth kërcënimit të mundshëm rus, gjenerali Wolters flet për gatishmërinë e KFOR-it dhe të NATO-s që të përgjigjen ndaj të gjitha sfidave të tilla, të cilat ai duket se i sheh kryesisht në segmentin e dezinformimit dhe të propagandës.

Por ai shprehet i qartë në lidhje me çdo lloj kërcënimi që mund t’i shfaqet Kosovës.

“KFOR-i është i gatshëm, i vullnetshëm dhe i aftë të adaptohet dhe të punojë kundër çdo lloj aksioni potencial të ndryshëm që mund të ndodhë në rajon”, thotë gjenerali Wolters, i cili erdhi në postin në krye të forcave të NATO-s vetëm para dy muajsh.

Në intervistë, gjenerali Wolters foli edhe për procesin e transicionit të FSK-së, për ndikimin që ka dialogu Kosovë-Serbi në misionin e KFOR-it, si dhe për të ardhmen e misionit paqeruajtës.

KD: Sapo e keni marrë detyrën e komandantit suprem të Forcave Aleate në Evropë. Cili është vlerësimi juaj për situatën në Kosovë nga pozita juaj e re?

Gjenerali Wolters: Unë sapo mora detyrën, para dy muajsh. Jam i ngazëllyer të jem këtu. Sot kisha rastin këtu në Kosovë që të takohem me kryeministrin tuaj, të takohem me ministrin e Mbrojtjes dhe të takohem me shefin e Mbrojtjes (komandantin e FSK-së v.j.). Dhe ata ishin shumë të mirësjellshëm që të takohen me ne këtu, në Shtabin e KFOR-it, dhe jam tejet mirënjohës për përpjekjet e tyre që të vijnë këtu. Ne ishim në gjendje të bisedojmë për shumë çështje aktuale.

KD: Cilat ishin çështjet kryesore që i diskutuat? Qartazi, siguria ishte pikë qendrore…

Gjenerali Wolters: Çështja kryesore që unë adresova kishte të bëjë me KFOR-in dhe aktivitetet e KFOR-it, mision i vlerësuar i 3.600 personave që përbëjnë KFOR-in dhe 28 kombe të ndryshme që bëjnë gjithë atë që munden për ta përkrahur KFOR-in. Jam krenar për atë që kanë bërë ata. Kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Mbrojtjes, të gjithë janë krenarë me të arriturat e tyre, dhe ne kaluam pjesën më të madhe të kohës duke biseduar rreth veprimeve të KFOR-it dhe unë isha thellë mirënjohës për përkushtimin e tyre.

KD: Në debatet tona publike të ditëve të fundit, dhe, në fakt, shumicën e kohës kur flasim për çështje të sigurisë, gjithmonë shfaqet çështja e kërcënimeve të mundshme. Dhe së voni ka pasur shumë diskutime – madje edhe kryeministri dhe njerëz të tjerë nga Qeveria janë ankuar për Serbinë, e cila mund të jetë kërcënim për shkak të mënyrës se si armatoset nga rusët, por edhe nga vende të tjera. Çka mendoni ju, si e sheh NATO-ja situatën? A është Serbia kërcënim për Kosovën?

Gjenerali Wolters: Para së gjithash, ajo që shoh unë dhe që e dëgjoj nga popullata është një qetësi. Çështja e dytë në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me kombet në periferi, ne jemi të kënaqur me përmasën e komunikimit që ndodh. Sa i përket referencës suaj për Serbinë, jam krenar që mund të raportoj se sipas konsultimeve që kam pasur këtu, këtu kemi, nëse është e nevojshme, një linjë e përshtatshme e komunikimit që ekziston mes komandantit të KFOR-it dhe shefit të Mbrojtjes në Beograd.

KD: Pra, ju nuk jeni të brengosur rreth kësaj?

Gjenerali Wolters: Unë brengosem për shumë gjëra. Nuk e di nëse do ta karakterizoja në atë mënyrë, por ajo që shoh unë janë kushtet tek popullata që zbulojnë një shkallë të lartë të qetësisë dhe të besimit në lidershipin e tyre.

KD: Pjesa tjetër e pyetjes ka të bëjë me kërcënimin e qartë të përgjithshëm që perceptohet si i tillë, që është faktori rus. Ka pasur shumë raporte për ndikimin rus në rajon dhe prezenca e tyre është e qartë në disa shtete – jo në Kosovë, por në disa shtete të tjera. E shihni këtë si një kërcënim të mundshëm dhe kur them kërcënim mendjen e kam tek stabiliteti dhe siguria në Kosovë para së gjithash, por po ashtu edhe në rajon në përgjithësi?

Gjenerali Wolters: Ajo që shoh unë janë forcat, për shembull, të KFOR-it që i njohin këto aktivitete dhe i njohin këto veprime, dhe ata janë të etur për t’u siguruar se nëse kemi situatë në të cilat aktorë të ndryshëm përpiqen të sjellin një nivel dezinformatash, ne kemi ekipe që janë të vetëdijshme për atë çështje dhe punojnë në mënyra që na sigurojnë se popullata do të ketë informata të sakta rreth asaj që ndodh, në rrugë apo në çdo lloj ambienti.

KD: Pra, ajo që thoni ju është se KFOR-i është i gatshëm për çdo lloj kërcënimi që mund të ekzistojë në të ardhmen?

Gjenerali Wolters: Jo, këtë e thatë ju…

KD: Në rregull, por kështu unë e kuptova përgjigjen. E kam gabim?

Gjenerali Wolters: Dhe karakterizimi juaj ishte?

KD: Që KFOR-i është i gatshëm për çdo lloj kërcënimi që mund të shfaqet në të ardhmen…

Gjenerali Wolters: KFOR-i është i gatshëm, i vullnetshëm dhe i aftë t’i adaptohet dhe të punojë kundër çdo lloj aksioni potencial të ndryshëm që mund të ndodhë në rajon.

KD: Në rregull, ju faleminderit… një tjetër pikë që e kemi si diskutim në, të themi, disa vitet e fundit, është transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ka pasur deklarime të ndryshme në lidhje me vetë procesin. Si ndiheni ju rreth kësaj? E keni takuar lidershipin këtu dhe si ndiheni rreth transformimit të FSK-së në përgjithësi, dhe cili është pozicioni i NATO-s në lidhje me Ligjin që është votuar këtu që FSK-ja të bëhet ushtri?

Gjenerali Wolters: Kisha mundësi të diskutoj me kryeministrin dhe me ministrin e Mbrojtjes, dhe me shefin e Mbrojtjes rreth transicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky është një projekt në vazhdim e sipër që do të zgjasë në dhjetë vjetët e ardhshëm. Dhe ne ishim në gjendje të komunikojmë qetësisht njëri me tjetrin se aktivitetet e KFOR-it janë të pavarura nga ato aktivitete. Megjithatë, sigurisht se përgjegjësia ime si komandant i NATO-s është të sigurohem se nga perspektiva e KFOR-it ne bëjmë gjithë atë që mundemi për të ndihmuar një ambient te sigurt dhe të qetë në Kosovë. Dhe në diskutimet tona me kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, dhe me shefin e Mbrojtjes rreth transicionit të FSK-së ne patëm një dialog të shëndetshëm rreth aktiviteteve të KFOR-it dhe ato që ata do të bëjnë për të vazhduar gjetjen e rrugëve për të siguruar një ambient të sigurt dhe të qetë.

KD: Po, çka thoni ju se do të duhej të ndodhë prej sot deri në momentin e caktuar pas dhjetë vjetësh ashtu që gjithçka të kalojë qetë dhe pa problem?

Gjenerali Wolters: Gjëja më e rëndësishme që do të ofroja është që linjat e komunikimit në aktivitetet duhet të jenë të hapura. Dhe me secilën ditë që kalon, ne të gjithë punojmë shumë, shumë që të dëgjojmë njëri-tjetrin rreth aktiviteteve dhe të detyrojmë veten që të mendojmë për transparencën dhe rreshtimin në secilën ditë që kalon, secilën javë, secilin muaj, për t’u siguruar se po e bëjmë gjënë e duhur.

KD: Gjeneral, sigurisht, si ushtarak ju mbase nuk keni dëshirë të flisni për politikën, por politika ka një ndikim në çështjet që janë mandat i juaj, përfshirë sigurinë e Kosovës. Dhe pikërisht tani ne jemi në një proces që ka qenë mjaft i ndërlikuar, që është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, dhe i cili ndikon, do të thosha, secilin aspekt të jetës sonë, përfshirë sigurinë dhe mandatin e KFOR-it. Çfarë shihni, apo deri në ç’masë e shihni këtë si diç që ndikon aktivitetet ditore, por edhe planifikimin e KFOR-it dhe të NATO-s këtu?

Gjenerali Wolters: Ajo që shoh unë është përpjekje për të përmirësuar dialogun e qartë mes dy liderëve që i përfaqësojnë dy entitetet, të cilat ju sapo i adresuat. Unë mendoj se kjo duhet të vazhdojë. Ajo që do të promovoja si ushtarak është që këto dialogje të bëhen sa më të forta me kohën. Sado shpesh që ju mund të mendoni se e keni stërdiskutuar një çështje, ajo që zakonisht e zbulojmë është se nuk e keni biseduar sa duhet. Andaj, sikur që thashë më parë, jam krenar që mund të raportoj se ka linja të veçanta të komunikimit mes liderëve të kombeve dhe entiteteve ushtarake, dhe dita-ditës ne duhet të synojmë shumë që të kemi dialog të fuqishëm, në të dyja anët. Ajo që e zbulojmë me kohë është se kjo është ndihmesë shumë e madhe për ushtarakët që të kuptojnë situatën politike, dhe që lidershipi politik t’i kuptojë aktivitetet e forcave ushtarake, të cilat i shërbejnë kauzës suaj.

KD: Veç kësaj, çfarë thoni për të ardhmen e KFOR-it? Dua të them, ka faktorë të cilët duhet të merren parasysh, dhe cilët faktorë mendoni se ndikojnë mandatin e KFOR-it në të ardhmen, apo edhe mundësinë që në një moment të merret vendimi për t’i dhënë fund misionit?

Gjenerali Wolters: Paj, do t’ju them se nuk ka një vendim për t’i dhënë fund KFOR-it, dhe nuk ka një vendim të pritshëm për t’i dhënë fund KFOR-it. Ajo që kemi sot është një KFOR që ofron ambient të qetë dhe të sigurt. Dhe në shekullin 21 kërkesat e një ushtaraku për ambient të qetë e të sigurt ndryshojnë. Dhe, sërish, ajo që e mundëson përkrahjen e këtyre aktiviteteve janë dëgjimi dhe komunikimi. Dhe ajo që ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë si një organizatë ushtarake, si KFOR, dhe të gjitha organizatat e tjera ushtarake – është të gjejmë një mënyrë që ta modelojmë forcën ashtu që të jetë sa më efektive dhe sa më efikase që është e mundur. Ajo që keni bërë para një viti mund të jetë ndryshe prej asaj që duhet ta bëni një vit prej sot. Dhe sigurisht se ka një vullnetshmëri në anën e KFOR-it dhe pjesëtarëve të tij ushtarakë që t’u përshtaten ndryshimeve, por sot misioni që kemi në KFOR, me 3.600 individët që përfaqësojnë 28 kombe është që të ofrojmë ambient të qetë e të sigurt dhe të jemi të vullnetshëm të adaptohemi në ndryshimet në të ardhmen. Se çfarë do të jenë ato ndryshime, do të tregojë koha.

KD: Pra, ne nuk e dimë në të vërtetë se çfarë duhet të ndodhë që KFOR-i të mundë të thotë ‘puna jonë këtu mbaroi’?

Gjenerali Wolters: Kjo gjithmonë varet nga kushtet në ambient. Ajo që e dimë është se ne duhet t’i vlerësojmë kushtet në ambient dhe sot ajo që e dimë bazuar në nevojat e ambientit na informon se 3.600 njerëzit që e përfaqësojnë KFOR-in po ofrojnë një ambient të qetë dhe të sigurt, dhe ata janë shumë të dashur nga përfaqësuesit e Kosovës.

KD: Në rregull, atëherë, pyetja e fundit…

Gjenerali Wolters: Kjo është deklarata ime e preferuar…

KD: Mirë pra, ta përmbyllim. Ju tani largoheni, pasi keni vizituar Kosovën dhe para saj ishit edhe në Beograd. Po e vizitoni rajonin për herë të parë prej se keni këtë pozitë. Çfarë merrni me vete – marrë parasysh të gjitha që i diskutuam?

Gjenerali Wolters: Tendencat, siguria dhe qetësia në Ballkanin Perëndimor kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë Evropën. Dhe jam krenar që mund të raportoj se këtu kemi entitete që punojnë shumë, shumë për të promovuar një ambient të sigurt e të qetë, këtu në Kosovë. Dhe tani unë kamë më shumë njohuri për kushtet që ekzistojnë në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, jam krenar që mund të raportoj se në SHAPE, dhe sigurisht në NATO ne e vendosim një theks të madh në tendencat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Dhe unë kam mësuar shumë më shumë, kam krijuar më shumë miq, kam hapur linja të komunikimit, dhe, siç e thashë më parë, duke i hapur ato linjat e komunikimit, kam përmirësuar aftësinë tonë për të promovuar një ambient të qetë e të sigurt.

KD: Që do të thotë se në të ardhmen do t’ju shohim më shpesh?

Gjenerali Wolters: Do të më shihni më shumë…

KD: Në rregull me ne. Ju faleminderit për intervistën…

Gjenerali Wolters: Ju faleminderit juve…