Arbëri

KFOR-i dhuron pajisje me të cilat shtohen kapacitetet për intervenime urgjente në Prizren

Shërbimi i Urgjencës në Prizren ka pranuar nga paqeruajtësit italianë pajisje mjekësore, në mesin e të cilave edhe një reanimator kardio-pulmonar. Punonjësit e urgjencës thanë se donacioni do të ketë ndikim pozitiv në punën e personelit shëndetësor dhe do t’i rrisë gjasat për shpëtimin e jetëve.

Paqeruajtësit e kontingjentit italian të KFOR-it kanë dhuruar pajisje mjekësore për Shërbimin e Urgjencës në Prizren. Mes tyre, Edhe një reanimator kardio-pulmonar, me të cilin shtohen kapacitetet për intervenime urgjente me qëllim të shpëtimit të jetëve.

Arbnor Ukaj, shef i Shërbimit të Urgjencës, tha se ky donacion mundëson punë më cilësore të personelit mjekësor në rastet emergjente.

“Kjo e rrit kapacitetin për ekipet për arsye se në të njëjtën kohë ekipet mund të mbulojnë dy raste të ndryshme me lokacion të ndryshëm, por me natyrë të sëmundjes së njëjtë dhe në këtë rast kanë të dy ekipet pajisje për arsye se në qytetin tonë ne operojmë me dy autoambulanca”, ka thënë Ukaj.

Edhe Xhevat Elezkurtaj, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, vlerësoi se donacioni do të ketë ndikim pozitiv në punën e personelit shëndetësor të Urgjencës.

pajisje, që sot na i keni dhuruar, do të shfrytëzohen në mënyrën më të drejtë dhe institucioni ynë do të dijë si t’i shfrytëzojë këto për të mirën e komunitetit në nevojë”, ka thënë Elezkurtaj.

Mario Bozzi, komandant i rajonit Perëndim të KFOR-it, theksoi se paqeruajtësit angazhohen për siguri dhe se në këtë rast ofrojnë përkrahje për qytetarët në formë tjetër, që ata të ndihen më të sigurt edhe në aspektin shëndetësor.

“Si KFOR dhe si kontingjent italian, për ne është shumë e rëndësishme që ta ndihmojmë secilin qytetar drejtpërdrejt për nevojat që ata i hasin në përditshmëri", ka thënë Bozzi.

Edhe kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, shprehu mirënjohjen për paqeruajtësit dhe tha se me këto pajisje stafi i Urgjencës do t’i kryejë detyrat me perfomancë më të mirë.