Arbëri

KFOR: Çështja e rihapjes së Urës së Ibrit duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut politik

Një ditë pasi Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut vendosi që të rihapej për qarkullim ura mbi lumin Ibër, në misionin e KFOR-it kanë thënë se kjo është çështje që duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut politik.

Nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, në këtë mision kanë thënë se KFOR-i, i udhëhequr nga NATO-ja, vazhdon që t’i monitorojë zhvillimet lokale dhe se mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në përgjigje thuhet gjithashtu se KFOR-i vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara.

Pas vendimit të Mitrovicës së Veriut për të rihapur për qarkullim këtë urë, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të premten u shpreh se “nuk është koha” për të.