Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, e ka quajtur të turpshme, skandaloze dhe me mungesë të respektit bazik institucional reagimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati pas kërkesës së Osmanit që Qeveria t’i heqë tarifat ndaj importeve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kupina ka thënë se Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të flasë për seriozitet.
“Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00, një njeri që ende nuk e kupton që sipas Kushtetutës dhe komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës, që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial, një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional”, ka shkruar tutje ai.
Kupina tutje ka thënë se duhet hequr tarifat “e paarsyeshme ndaj aleatit kryesor” dhe të lihen deklaratat që ai i ka quajtur të turpshme dhe fëmijërore.
Në një shkrim në Facebook, Murati ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.
“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga ShBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.