Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, e ka “ftuar” komisionerin evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, që të merret me zgjerimin e Bashkimit Evropian, pasi zyrtari evropian tha se Kosova duhet ta dërgojë në Kushtetuese draftstatutin për Asociacionin e komunave serbe.
Zulfaj ka thënë të martën se Varhelyi dha sugjerim pa e përmendur Marrëveshjen Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se dialogu nuk është çështje e Varhelyit.
“E pash sugjerimin tuaj, z.Varhelyi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pa e përmendur Marrëveshjen Bazë të Brukselit, pra njohjen reciproke dhe raportet e mira fqinjësore. Ndoshta është më mirë që të fokusoheni në zgjerimin e BE-së pasi dialogu në Bruksel është çështje e dikujt tjetër”, ka thënë ai në rrjetin social X.
Varhelyi ka thënë se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet procesit të dialogut.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, citohet ai në njoftimin e Komisionit Evropian.