Arbëri

Këshilltarët kërkojnë rregullimin e trotuarit dhe parkingut në rrugën “Gjon Serreçi” në Gjilan

Pushteti komunal nuk ka investuar ende në rregullimin e trotuarit dhe parkingut në rrugën “Gjon Serreçi” në qytetin e Gjilanit. Ata të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë kryesore të qytetit ankohen se kanë të vështirë të lëvizin në këmbë për shkak të trotuarit i cili është degraduar.

Këshilltarja komunale, Mimoza Kadriu, deklaron se këtë shqetësim e ka shprehur edhe tek organet komunale në lidhje me këtë rrugë.

“Është shumë e vështirë me ec nëpër trotuaret e asaj rruge. Tash që infrastruktura po rregullohet duhet të investohet edhe në atë pjesë. Këtë çështje e kam ngritur dy herë. Në qoftë se investohet atëherë trotuari duhet të ketë një gjerësi të mjaftueshme ku këmbësorët do të qarkullonin lirshëm”, thotë ajo.

Ndërkaq këshilltari komunal nga radhët e Vetëvendosjes, Nehat Osmani, deklaron se shumë rrugë në qytet janë lënë anash dhe nuk futen në prioritetet e investimeve, transmeton KOHA.

“Po arsyetohen se po zgjerojnë rrugët në qytet. Mirëpo ne kemi shumë rrugë të cilat janë lënë anash siç është edhe rruga në fjalë. Në seancat e Kuvendit Komunal kemi ngritur këto çështje mirëpo pushtetit komunal nuk dëshiron të dëgjojë në lidhje me këto probleme. Prandaj këto rrugë po mbesin jashtë investimeve. Sigurisht se ka rrugë shumë të dëmtuara për të cilat kanë ankesa në vazhdimësi edhe banorët. Sa i përket rrugës “Gjon Serreçi” është një nga rrugët kryesore të qytetit për të cilin kërkohet investim”, thotë Osmani.

Ndërkaq drejtori i shërbimeve publike, Naser Korça, ka deklaruar se ata janë duke zhvilluar procedurat e prokurimit për rregullimin e trotuarit dhe parkingut në këtë rrugë.

“Është dorëzuar materiali dhe projekti për hapje të tenderit është hap tenderi në fillim të muajit tetor besoj që do të kemi kontratën e nënshkruar. Projekt shumë i mirë i gjithë parkingut në rrugën “Gjon Serreçi” nga udhëkryqi te zjarrfikësit e deri te rrethi i ashtuquajtur i ETC-së, do të rregullohen trotuaret dhe pjesa e parkingut që është e degraduar qysh moti”, është shprehur Korça.