Arbëri

Protesta për neglizhimin e punëve në magjistrale Prishtinë - Podujevë

“Rruga e vdekjes” po quhet magjistralja Prishtinë–Podujevë për shkak të aksidenteve të shpeshta që po ndodhin aty.

Rasti i fundit ishte para disa ditësh, ku humbën jetën burrë e grua nga Malisheva, derisa po vinin në vendlindje nga Sllovenia.

Kjo ka bërë që këshilltarët komunalë të partive opozitare, LDK, AAK dhe OBKD, bashkë me qytetarët të organizojnë edhe një protestë.

Pas homazheve që kanë bërë në vendin ku ka ndodhur aksidenti në Sibofc, protestuesit për disa minuta e kanë bllokuar edhe rrugën në rrethrrotullimin e këtij fshati.

“Këtë iniciativë e kemi marrë si Asamble Komunale, pra që ta përkrahim idenë që të bllokohet rruga. Përderisa Qeveria, e cila po ka kohë të ndajë mjete për rrugë të reja për ndërtimin e autostradës për mbi 1 miliardë euro që lidh Prizrenin me Tetovën, përderisa rruga jonë ‘rruga e vdekjes’ ka mbetur tash e 7 vjet pa asnjë investim. Dhe në buxhetin e fundit shihet që është e lënë anash, sepse nuk është ndarë asnjë mjet për vazhdimin e kësaj rruge”, tha Gazmend Islami, këshilltar komunal i OBKD-së.

“Fatkeqësisht kjo rrugë tani ka marrë epitetin ‘rruga e vdekjes’ për shkak të numrit të aksidenteve që po ndodhin në të. Andaj, ne sot kërkojmë nga deputetët, veçmas ata llapjanë, kërkojmë nga kryeministri dhe Qeveria, që të angazhohen që ky projekt të finalizohet sa më shpejt”, tha Tringë Sfishta, këshilltare komunale e LDK-së.

Organizatorët kanë kërkuar që kësaj proteste të mos i jepet ngjyrim politik, pasi, sipas tyre, përgjegjëse për gjendjen në këtë magjistrale janë të gjitha qeveritë që nga paslufta.

“Të gjitha qeveritë, që kanë qenë udhëheqëse në Republikën e Kosovës, në një formë që të gjitha e kanë neglizhuar këtë rrugë”, tha Naim Çunaku, këshilltar komunal i LDK-së.

“Po të isha organizator i kësaj proteste, nuk e kisha ndërprerë protestën derisa të vjen kryeministri dhe të shpjegojë përse nuk po realizim të premtimeve edhe pse është premtuar se brenda 1 viti kjo do të realizohet”, tha protestuesi Arsim Sokoli.

Zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë–Prishtinë ka nisur në vitin 2016 në kohën e Isa Mustafës dhe që nga fillimi ka pasur zvarritje të punimeve.

Në këto pak kilometra të zgjerimit të kësaj rruge, askund nuk ka shirit ndihmës, vendstacion për autobusë dhe nënkalim ose mbikalim për ndërrim kahu.

Vitin e kaluar janë ndërtuar 2 rreth rrotullime, po pikërisht aty ka pasur disa herë aksidente. Dobësi në këtë projekt kishin gjetur edhe vetë ekspertë të komunikacionit.