Arbëri

KPK-ja alarmon për dështim të seancave në mungesë të prokurorëve

Mungesa e prokurorëve e mosaprovimi i kërkesës për rritje të buxhetit, janë disa nga sfidat që janë përmendur në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, të enjten. Në këtë mbledhje është përmendur edhe mosdekretimi nga presidentja i emrit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, tash e tre vjet

Numri i ulët i prokurorëve, sipas Këshillit Prokurorial të Kosovës, është bërë shkak për dështimin e shumë seancave gjyqësore.

Në mbledhjen e KPK-së, të enjten, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka kërkuar nga Qeveria të ndajë mjete të tjera buxhetore, me qëllim të plotësimit të kuadrove të nevojshme për sistemin prokurorial.

“Seancat gjyqësore nuk po munden me u mbajtë për shkak se nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve. Jo më larg se këtë javë ka pasur problem Gjykata Themelore e Pejës, sepse nuk ka pasur prokurorë që mund të shkojnë në seanca. Kemi ardhur në një situatë kur buxheti i Kosovës ndahet për numër të gjyqtarëve të cilët nuk mund t’i mbajnë seancat, sepse nuk ka numër të mjaftueshëm të prokurorëve”, ka thënë Kelmendi.

Kritika për Qeverinë ka shprehur edhe drejtori i sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi.

Ai ka thënë se mosaprovimi i kërkesës për buxhet shtesë ka shkaktuar vështirësi në punën e prokurorit të shtetit.

“Gjatë vitit 2024 bazuar në ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2024 Këshillit i janë ndarë buxhet prej 17 milionë e 265 mijë e 867euro, edhe pse kërkesa jonë ka qenë 19 milionë e 760 mijë e 377euro dhe kjo kërkesë nuk është aprovuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve për t’i mbuluar disa pozita ligjore që kemi në sistemin prokurorial të Kosovës ku ka ndikuar direkt në realizimin e aktiviteteve të sistemit prokurorial”, ka deklaruar Istrefi.

Përveç problemeve me buxhet, Istrefi është shprehur se KPK-ja u përball edhe me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit tash e tre vjet, pastaj me dorëheqjen e prokurorëve të komunitetit serb, dorëheqjen e anëtarëve nga radhët e Odës së Avokatëve të Kosovës e telashe të tjera.

Bazuar në Ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2025, Këshillit Prokurorial të Kosovës i janë ndarë: 18 milionë e 913 mijë 922 euro.