Arbëri

Këshilli Komunal për Siguri në Prizren apelon për kremtim pa armë

Në prag të festave të fundvitit, anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Prizrenit kanë bërë thirrje për festë të qetë dhe kundër përdorimit të armëve të zjarrit. Ka pasur po ashtu kërkesa për masa parandaluese lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike. Ndërkaq, autoritetet komunale kanë pohuar se shtimi i vëmendjes nga institucionet përgjegjëse është i domosdoshëm

Anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi të Prizrenit kanë bërë thirrje për festë të qetë gjatë fundvitit, pa përdorimin e armëve.

Ata kanë theksuar se përdorimi i armëve ilegale gjatë festave mund të rrezikojë jetë dhe prona të qytetarëve. E në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli janë kërkuar masa edhe për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të mjeteve piroteknike.

Teksa është shqyrtuar Plani operativ i Policisë së Kosovës lidhur me mjetet piroteknike gjatë festave të fundvitit, si dhe bashkëpunimi për këtë çështje me Drejtorinë e Inspektorateve, anëtari i Këshillit, Ertan Simitçi, ka kërkuar që të merret vendim për ndalimin e përdorimit të tyre, në bazë të legjislacionit në fuqi.

“Me qëllim të parandalimit të problemeve nga përdorimi i mjeteve piroteknike që është bërë dukuri gjatë festave të fundvitit, kërkoj që të merret një konkluzion nga Këshilli i Sigurisë, pasi deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim konkret në këtë drejtim”, ka thënë Simtçi.

Vebih Zekolli, komandant i Stacionit të Policisë në Prizren, gjatë raportimit mbi planin operativ dhe masat e parapara ka potencuar se vitin e shkuar nuk ka pasur incidente serioze, por ka bërë thirrje që festat të kremtohen pa armë.

“Fatmirësisht vitin e kaluar s'ka pas, edhe shpresojmë që edhe këtë vit do të kalojë pa ndonjë incident. Një mesazh për gjithë qytetarët dhe të pranishmit është që të gjithë të rinjtë ti nxisim që të festojnë në mënyra sa më të qeta, të mos përdoren armët e zjarrit, armët ilegale pasi ato mund të shkaktojnë qoftë lëndime, qoftë edhe pasoja fatale tek të pafajshmit ose te ata që i përdorin”, ka thënë Zekolli.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, këto kërkesa i ka vlerësuar si të arsyeshme teksa ka treguar se ato tashmë janë pjesë e planit operativ.

“Po mendoj që veç janë pjesë e një plani, dhe po mendoj se vitin e kaluar meqë kemi pas shumë pak raste ose s'kemi pas fare raste të lëndimeve këtë vit do të duhet të ishte edhe më mirë gjendja, për shkak se kemi institucione që kanë një përvojë të caktuar në parandalimin e këtyre gjërave. Megjithatë ngritja e nivelit të vëmendjes mendoj se është e mirë”, ka deklaruar Totaj.

Vitin e shkuar, Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit pati realizuar një fushatë vetëdijesuese për kremtim pa armë, si dhe për shtimin e kujdesit rreth sigurisë personale dhe të të tjerëve.