Arbëri

Këshilli i Sigurimit mund të kërkojë rishikim strategjik të misionit të UNMIK-ut

Në mbledhjen e parë të këtij viti për Kosovën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta shqyrtojë mundësinë e një deklarate, ku u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë për dialog e përmbajtje nga veprimet përshkallëzuese, si dhe mund t’i kërkohet sekretarit të përgjithshëm ta bëjë një rishikim strategjik të misionit të UNMIK-ut, me qëllimin që ai të jetë më efikas. Njohës të zhvillimeve thonë se shtete të fuqishme brenda OKB-së do të kundërshtonin çfarëdo përpjekjeje për forcimin e kompetencave të UNMIK-ut

Në një moment kritik për stabilitetin dhe të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së këtë muaj mban mbledhjen e parë në 2025-tën për situatën në Kosovë, shkruan në një raport të think tankut që operon në kuadër të OKB-së, “Security Council Report”.

Sipas organizatës që ka për mision avancimin e transparencës e efikasitetin e Këshillit të Sigurimit duke inkurajuar angazhimin e tij me të gjitha shtetet anëtare dhe shoqërinë civile, në fokus të diskutimeve do të jenë raporti më i fundit i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Por gjithashtu pritet që Këshilli të përcaktojë hapat e ardhshëm për të nxitur rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për të shqyrtuar funksionin e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

“Security Council Report” ka përmendur dy propozimet që po qarkullojnë në qarqet diplomatike lidhur me Kosovën - miratimi i një deklarate ku Kosovës dhe Serbisë iu bëhet thirrje për shmangie të tensioneve e normalizim mes palëve, si dhe rishikimi strategjik i misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

“Prioriteti i Këshillit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ai do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Për këtë qëllim, Këshilli mund të shqyrtojë miratimin e një deklarate presidenciale që bën thirrje për përmbajtje dhe ripërsëritjen e mbështetjes për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizën kryesore për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, shkruan në raport.

“Këshilli gjithashtu mund të shprehë mbështetjen e tij për përfaqësuesin special të sapoemëruar të BE-së dhe t'iu bëjë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në mirëbesim drejt rifillimit të negociatave të normalizimit. Përveç kësaj, Këshilli mund t'i kërkojë sekretarit të përgjithshëm të kryejë një rishikim strategjik të UNMIK-ut për të shqyrtuar se si të përmirësohet efikasiteti i misionit”.

Por ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se do të jetë vështirë të arrihet ndonjë dakordim lidhur me ndryshimin e rolit të UNMIK-ut.

“Do të jetë e vështirë. Edhe po të mbështetej nga Trumpi, Franca dhe Britania e Madhe do ta kundërshtonin forcimin e autorizimeve të tij. Raporti i përshkruan disa versione lidhur me ndryshimin e mandatit të UNMIK-ut. Rusia po kundërshton çdo ndryshim të mandatit aktual. Kështu që unë nuk pres ndonjë dakordim rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Hasani.

Raporti përmend edhe disponimin e shteteve anëtare lidhur me mandatin e UNMIK-ut. SHBA-ja shihet si më e zëshmja për reduktimin e pranisë së UNMIK-ut, duke argumentuar se misioni ka përmbushur qëllimet fillestare. Por aty përmendet se mbështetje për një rishikim strategjik ka ardhur edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja e Jugut. Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina mbeten kundërshtare të çdo ndryshimi, duke mbështetur kërkesën e Serbisë për rëndësinë e vazhdimit të mandatit aktual të UNMIK-ut, që ishte instaluar në Kosovë në vitin 1999.

Emërimi i Peter Sorensenit si përfaqësues i ri special i BE-së shihet si një mundësi për t’i dhënë frymë të re dialogut, thuhet në raport. Ai ka filluar takime me palët, por suksesi i tij vlerësohet se do të varet nga mbështetja ndërkombëtare dhe nga presioni i koordinuar diplomatik për të detyruar palët të angazhohen me sinqeritet.

Raporti po ashtu konstaton se zhvillimet e fundit kanë shënuar një përkeqësim të dukshëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës ka mbetur e brishtë. Më 29 nëntor 2024, një shpërthim i fuqishëm dëmtoi një kanal ujor në komunën veriore të Zubin-Potokut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thuhet se ka akuzuar Beogradin për orkestrimin e sulmit, të cilin presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar si të pabazë. Këshilli i Sigurisë së Kosovës u përgjigj duke miratuar masat emergjente për të rritur sigurinë rreth infrastrukturës strategjike, ndërsa policia njoftoi arrestime të lidhura me sulmin”, shkruan në raport.

“Ziadeh dënoi sulmin, duke vënë në dukje se ai shkaktoi dëme kritike në infrastrukturën thelbësore civile dhe ndërpreu furnizimin me ujë. Ajo e përshkroi incidentin si thellësisht shqetësues dhe paralajmëroi se rrezikon të minojë stabilitetin. Ziadeh nënvizoi nevojën për një hetim gjithëpërfshirës dhe transparent për të identifikuar përgjegjësit dhe për t'i mbajtur ata përgjegjës”.

Aty përmendet edhe fakti se zgjedhjet e fundit në Kosovë nuk kanë prodhuar një shumicë të qartë, tek përmendet nevoja për negociata mes subjekteve politike.

“Pavarësisht sigurimit të një shumice të qartë, LVV-ja nuk arriti të ketë një shumicë të plotë dhe do të duhet të formojë një koalicion për të qeverisur. Kjo është në kontrast me mandatin e mëparshëm të partisë, gjatë të cilit ajo qeverisi e vetme pas fitores të vitit 2021”, thuhet në raport.

Dokumenti përmend edhe ashpërsimin e retorikës zyrtare të Serbisë ndaj Kosovës, veçmas pas marrëveshjes ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Në përgjigje të kësaj marrëveshjeje, Beogradi lëshoi ​​një deklaratë duke kritikuar paktin si ‘një kërcënim për sigurinë e popullit serb dhe të gjithë rajonit’ dhe se është në ‘kundërshtim të drejtpërdrejtë me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së’. Prishtina u përgjigj duke i dënuar komentet e Beogradit si ‘agresive dhe kërcënuese’, duke i karakterizuar më tej si ‘shkelje flagrante të marrëveshjeve të Brukselit’”, shkruan në raport.

Në dokument shkruan po ashtu se më 28 tetor 2024, Serbia miratoi një projektligj që përcakton Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, duke krijuar një kornizë për ofrimin e ndihmës financiare për grupe të caktuara në Kosovë me qëllimin e deklaruar për parandalimin e përjashtimit social dhe mbështetjen e mbijetesës së popullit serb.

“Në të njëjtën ditë, qeveria serbe miratoi një projektligj të veçantë për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve të saj gjyqësore, duke zgjeruar kompetencën e Prokurorisë së Lartë Publike dhe Gjykatës së Lartë në Beograd për ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë”.

Sipas organizatës që përpiloi raportin, Prishtina i dënoi masat duke i konsideruar ato si shkelje të sovranitetit të Kosovës.