“Unë i bëj lutje Qeverisë që ta hapin shkollën, të bashkohemi të gjithë, nuk duhet të ketë grevë, edhe Jasharajt gjithashtu i drejtohem me gjithë shpirt që ta fillojnë shkollën edhe mësimin”, ishte lutja e nxënëseses A.U.
Me këtë thirrje për institucionet shtetërore, nxënësja 10-vjeçare nuk i përmbajti lotët teksa shprehu para kamerës dëshirën e saj për rikthim në shkollë.
Sikurse ajo edhe fëmijët e tjerë iu kthyen të hënën bankave të shkollës fillore “Shkëndija” në Hajvali. Ndonëse librat i kishin të vendosura mbi bankë, mësimi për ta nuk nisi as këtë fillimjavë.
Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle organizoi kthimin e fëmijëve në bankat shkollore si shenjë proteste për gjendjen e krijuar me arsimin në Kosovë.
Kryetari Driton Ajeti thotë se ky Këshill nuk është kundër kërkesave të mësimdhënësve, porse nuk pajtohet me formën e grevës.
“Ne nuk pajtohemi si Këshill i Prindërve me formën e protestës, sepse kjo lloj e grevës i pëson pasoja vetëm fëmijëve tanë, askush tjetër nuk pëson dhe interesi ynë i vetëm është interesi i fëmijëve tanë. Nuk jemi palë që ua mbajmë anën as SBASHK-ut e as Qeverisë, thjesht jemi këtu për interesa të fëmijëve tanë. Nuk pajtohemi që fëmijët tanë të përdoren si mjet për arritje të qëllimeve të askujt”, u shpreh Ajeti.
Ajeti vlerëson se situata në të cilën gjenden fëmijët, është e padrejtë ndaj tyre.
“Është e padrejtë ndaj fëmijëve, është shkelje e të drejtave të fëmijëve, është shkelje e të drejtave njerëzore t’iu mohohet mësimi në ditën e sotme”, shtoi ai.
Paralajmërimit të Këshillit që e drejton Ajeti se të hënën do t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, i është përgjigjur Këshilli i Bashkësisë Lokale me kërkesë për takim, përfshirë edhe Këshillin Grevist.
Ilmi Vitija nga Këshilli i Bashkësisë Lokale ka thënë se takimi është thirrur me qëllim për të gjetur mirëkuptim dhe të mos maltretohen qytetarët, përfshirë fëmijët, duke dalë në këtë lloj proteste.
“Edhe unë jam për t'i përfaqësuar qytetarët e Hajvalisë dhe për të gjetur mirëkuptim për të mos i maltretuar duke dalë në protestë me fëmijë. Krejt çka mund të bëjnë prindërit është që të gjejmë gjuhë të përbashkët edhe me Këshillin Grevist, nëse duan të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe jo të dalin në emër të Këshillit të Prindërve pa u marrë vesh me prindërit. Unë publikisht i kam ftuar në deklaratë, asnjë nuk është lajmëruar dhe nuk kam çka”, pohoi Vitija.
Kërkesës për takim të Këshillit të Bashkësisë Lokale për takim i është përgjigjur pozitivisht kryetari i Këshillit Grevist.
“Jam njoftuar dhe jam i gatshëm në çdo kohë dhe çdo moment të takohem me ta. Bashkësia Lokale është e këtij lokaliteti dhe ajo pret që të përmbyllet sa më shpejt të arrihet një marrëveshje dhe të fillojë mësimi”, deklaroi Jusuf Jusufi, kryetar i Këshillit Grevist.
Në shkollën e cila ka 746 nxënës, drejtoresha Minire Berisha thotë se situata është e palakmueshme, por përgjegjësinë për gjendjen e krijuar, sipas saj, e kanë institucionet qendrore.
“Unë si drejtoreshë, si e shoh situatën, është një situatë jo e mirë, e palakmueshme. Por nuk varet drejtpërsëdrejti nga menaxheri i asnjë institucioni e njëkohësisht edhe nga institucioni që e udhëheq unë... Në momentin që merret një vendim në nivel vendi, çfarëdo vendimi që merret do të jetë i mirëseardhur edhe në shkollën tonë”, u shpreh Berisha.
Fehmi Uka, prind në shkollën “Shkëndija”, mendon se më e drejta është që Qeveria të lëshojë pe dhe të rrisë pagat aq sa është kërkuar.
“Qeveria duhet të marrë masa dhe t’i ngrejë pagat, të shohë gjendjen se si është të arsimtarëve e jo ta dëgjojë Rrahman Jasharajn e askënd tjetër, por Qeveria është kryesore për këtë punë. Nuk është ta dëgjojë inatin e atij ose inatin e këtij, pse, si, tek, jo 50, jo 100, por edhe 100 edhe 200 derisa të kalojë kriza”, ka pohuar Uka.
Protesta e së hënës së 19 shtatorit është mbajtur në mënyrë simbolike për të shfaqur pakënaqësitë sa i përket gjendjes së krijuar në arsim.