Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditësh pas denoncimit të një shkeljeje, Këshilli i Etikës nuk i ka kontaktuar personat e përfshirë në rastin e profesorit Xhevat Krasniqi as në mbledhjen që e ka mbajtur të enjten
Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës (UP) ka nisur të enjten shqyrtimin për herë të parë të denoncimeve të paraqitura më se tri javë më parë nga 27 studente për ngacmim seksual kundër profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.
Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditësh që pas denoncimit të një shkeljeje, Këshilli i Etikës nuk i ka kontaktuar personat e përfshirë në rastin e profesorit Krasniqi as në mbledhjen që është mbajtur të enjten.
Në Këshill nuk kanë pranuar që të japin hollësi lidhur me këtë teksa kanë thënë se ndodhen ende në procedurat fillestare dhe se do të njoftojnë së shpejti mbi ecurinë e rastit.
Në kohën derisa po mbahej mbledhja, përfaqësues të Lëvizjes Feministe Studentore e zhvilluan para objektit të Rektoratit të UP-së një aksion simbolik për të ironizuar me vonesat në trajtimin e procedurës.
Ata kanë vendosur para Rektoratit katër jastëkë dhe një pankartë me mbishkrimin: “Shhh, Këshilli i Etikës po flenë...”.
Anita Mjeku, përfaqësuese e kësaj lëvizjeje, ka shprehur vërejtjen se ky nuk është rasti i parë kur Këshilli i Etikës ua ka mbyllur sytë karshi raportimeve e denoncimeve ndaj profesorëve për ngacmime seksuale.
“Në rregullore thuhet që brenda pesë ditëve Këshilli i Etikës duhet që t’i ftojë palët në intervistim. Janë bërë tash tri javë, këta veçse janë mbledhur edhe nuk i kanë ftuar as palët në intervistim. Do të thotë, u janë dashur tri javë për t’u mbledhur për ta diskutuar rastin... Kjo veç e tregon joprofesionalizmin dhe joseriozitetin e tyre në trajtim të rasteve, sidomos kur është në pyetje siguria e studenteve vajza dhe gra të UP-së”, ka thënë Mjeku.
Ajo ka theksuar se Këshilli i Etikës e ka nisur shqyrtimin e rastit vetëm pasi që ai është bërë medial dhe pasi që për të janë zhvilluar edhe protesta.
“Ne ju bëjmë thirrje që ta përjashtoni profesorin Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës e edhe ta trajtoni rastin me prioritet dhe me seriozitet. Secili vendim që nuk është përjashtim i tij nga UP-ja na gjen neve prapë të mbledhur para Rektoratit derisa i njëjti të shkarkohet”, ka thënë Mjeku.
Dy ditë më parë studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar para objektit të Fakultetit të Edukimit dhe para atij të Rektoratit me thirrje për përjashtimin e profesorit Krasniqi dhe për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës shkaku i mostrajtimit me seriozitet të rastit.
KOHA ka raportuar javën e shkuar se 27 studente e kanë denoncuar profesorin e Edukimit për sjellje joprofesionale në ambientet akademike. Në ankesën e tyre studentet kanë theksuar se profesori u është drejtuar me sjellje joprofesionale dhe me komente mbi pamjen e tyre fizike.
Në Fakultetin e Mjekësisë kanë thënë se pas denoncimit e kanë ndërprerë bashkëpunimin me profesorin.
Ndërkaq në Rektorat ende nuk e kanë komentuar vonesën në trajtimin e denoncimit nga Këshilli.