Arbëri

Këshilli i Etikës do t’i rifillojë procedurat disiplinore ndaj Krasniqit pas hetimeve nga organet e drejtësisë

Xhevat Krasniqi

Foto: Alban Bujari

Këshilli i Etikës do të rifillojë procedurën disiplinore kundër profesorit, Xhevat Krasniqi, pas përfundimit të veprimeve hetuese të organeve shtetërore lidhur me denoncimin për ngacmim seksual. Në vendimin e 8 majit thuhet se Këshilli i ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ka trajtuar të gjitha faktet e provat në dispozicion.

Këshillit i kishte shkuar më 5 mars denoncimi kundër Krasniqit, me ankesën e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual dhe mosvlerësim të tyre nga ana e profesorit.

Në vendimin e Këshillit, të cilin e posedon KOHA, paraqiten deklaratat e të dyja palëve, studentëve parashtrues të ankesës si dhe të profesorit. Në deklaratën adresuar Këshillit të Etikës, Krasniqi kishte thënë se fjalët e paraqitura nga studentët janë shtrembëruar.

Siç thuhet në vendim, Krasniqi në deklaratën që ia ka dërguar Këshillit ka thënë se studentët e kanë keqpërdorur të drejtën e ankesës “me qëllim të kalimit të provimit në lëndën e matematikës në mënyrë joligjore, jostatutare dhe joetike, pas dështimit të çdo mundësie tjetër efektive të kalimit që e kanë shfrytëzuar si: kalimit të provimit nëpërmjet intervenimeve, nëpërmjet presioneve deri në kërcënim, e në fund edhe nëpërmjet shumë shantazheve të ndryshme, disa prej të cilave kanë gjurmë faktike edhe brenda përmbajtjes së ankesës së studentëve të programit Farmaci”.

Ndërkaq, më 4 prill të dyja palët ishin paraqitur në seancën dëgjimore të Këshillit. Aty Krasniqi sërish ka mohuar akuzat duke theksuar se “absolutisht nuk e përdori këtë fjalor dhe janë trillime”.

“Jo, nuk krijoj hapësira shumë të afërta me studentë, përveç zyrtares. Nuk mund të jetë një profesor në Fakultetin e Edukimit me një qasje tjetër, e në Fakultetin e Mjekësisë me një qasje tjetër. Në Fakultetin e Mjekësisë për tetë vjet nuk jam akuzuar për asgjë vetëm që kam qenë më rigoroz”, ka deklaruar Krasniqi.

E pyetur nga Këshilli nëse ka dëgjuar më herët fjalë nga Krasniqi, një studente kishte deklaruar në seancë: “Në fakultet të Edukimit që iu ka drejtuar studentes, i kish thanë: Ty të kisha fejuar, por jam i martuar”. 

Siç thuhet në vendim, profesori Krasniqi ka pretenduar se nga janari 2023 studentët kanë filluar fushatë kundër dhe rreth vlerësimit.

“Këto tendenca dhe intervenime janë bërë përmes familjarëve, rrethit të ngushtë, ka pasur doktorë, shefa të departamenteve, prodekanë, anëtarë të agjitacioneve, policë, sekretarë, dekanë, deputetë, drejtorë shkollash, ushtarë, etj”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Krasniqi në fund ka shprehur dyshime se lista e nënshkrimeve të studenteve në ankesën kundër tij mund të jetë e falsifikuar pasi gjendeshin studentë që nuk e kanë dëgjuar mësimin fare e se nënshkrimet janë bërë nga shoqet e tyre. Këshilli shkruan në vendim se “këto dyshime janë të bazuara, duke krahasuar nënshkrimet e të njëjtëve studentë me nënshkrimet në fletë-evidencat e ligjërateve”.

Megjithatë, studentet që e kishin nënshkruar denoncimin për ngacmim seksual, kanë deklaruar se janë të gatshëm të deponojnë edhe një herë nënshkrimet para Këshillit të Etikës.

Këshilli ka përfshirë edhe raportet vlerësuese të studentëve në tri vjetët e fundit për lëndët që ligjëron në Fakultetin e Edukimit ky profesor. Këshilli ka shkruar se pas analizës së raporteve, “del se në të gjitha lëndët që profesori Xhevat Krasniqi ligjëron në Fakultetin e Edukimit, vlerësimi ishte shumë mirë dhe shkëlqyer”. Vlerësim pozitiv ka dërguar edhe Fakulteti i Mjekësisë.

Krasniqi: Po të pranoja të vendosja nota jomeritore siç kërkonin, nuk më kishin denoncuar

Në paraqitjen e tij në seancën e 22 prillit para Këshillit, Krasniqi duke mohuar sërish akuzat pretendoi “se sikur të kishte pranuar të vendoste nota jomeritore në afatin e janarit 2024, siç edhe i është kërkuar, nuk do të ishte denoncuar fare”.

Një ditë më vonë, 23 prill, Rektorati i Universitetit të Prishtinës e ka pezulluar nga pozita profesorin Krasniqi. Vendimi ishte marrë pas rekomandimit të Këshillit të Etikës, që ai të pezullohet deri në përfundimin e hetimeve nga autoritetet përkatëse shtetërore.

KOHA ka raportuar fillimisht dhe më pas në vazhdimësi për denoncimin e 27 studenteve për ngacmim seksual ndaj profesorit Xhevat Krasniqit. Që nga raportimi i KOHËS, para Rektoratit janë mbajtur disa protesta me kërkesën për përjashtim të Krasniqit dhe dorëheqje të anëtarëve të Këshillit të Etikës që e trajtuan rastin.

27 studentet e Fakultetit të Mjekësisë në denoncimin e tyre kanë thënë se profesori Krasniqi u ishte drejtuar me sjellje joprofesionale e me komente për pamjen e tyre fizike gjatë vitit të kaluar.