Arbëri

Këshillat e lagjeve e të fshatrave konsiderohet se mund të ndikojnë edhe në krijimin e politikave

Sociologët vlerësojnë se këshillat e lagjeve e të fshatrave mund të ndikojnë në aktivizmin qytetar. Sipas tyre, këta mekanizma kanë rol kyç në adresimin e problemeve me të cilat ballafaqohen banorët. Megjithatë, jo rrallë është thënë se përfaqësuesit e këtyre këshillave kanë qenë të ndikuar politikisht dhe ata kanë qenë edhe në shërbim të partive në pushtet.

Aktivizmi qytetar mund të ndikojë në krjimin e agjendave politike, qofshin ato lokale apo qendrore, vlerësojnë sociologët.

Sipas tyre, këtë rol mund ta luajnë këshillat e lagjeve dhe të fshatrave në komunat e vendit.

Sociologu Genc Xërxa thotë se në Kosovë nuk ka ndonjë matje se sa janë aktivë këta mekanizma, por shton se ata mund të ndikojnë në përmirësimin infrastrukturës e të sigurisë.

“Duke e ditur na që si mentalitet jemi në zhvillim shtetformues tash nuk kemi një matje sociometrike sa është e zhvilluar dhe sa i besojnë apo sa e kultivojnë këta këshilla. Por, në shtetet perëndimore kemi dëgjua dhe kemi lexua se janë shumë të domosdoshme dhe shumë vendimmarrëse dhe ndikojnë direkt në krijimin e agjendave politike, qofshin në nivelin lokal apo atë qendror”, ka thënë Xërxa.

Në vitin 2019 MAPL-ja ka nxjerrë Udhëzim të ri Administrativ për organizimin, funksionimin dhe bashkëpunimin e komunave me fshatrat, vendbanimet dhe lagjet urbane.

Bazuar në këtë dokument, komunat kanë nxjerrë rregullore, në të cilat përveç detyrave kërkohet që anëtarët e këtyre këshillave nuk mund të kenë edhe pozita politike, gjë që në të kaluarën ka qenë e kundërta.

“Unë vij për pushtetit të kaluar e i përkas asaj partisë të pushtetit të kluar, normalsht që na kur u kanë çështja e votave edhe iu kemi ndihmua organeve kompetente në bashkëpunim se i kemi përfaqssue edhe jeni zgjedh shumica, kush ka fitua shumicën ka pas të drejtë edhe ta zgjedh përfaqësuesin e komunitetit, shumica e partisë që janë në zgjedhje komunale”, ka deklaruar Osman Bahtiri, përfaqësues i fshatit Gllamnik të Podujevës.

Në Komunën e Podujevës që nga muaji korrik është ndërprerë themelimi i këtyre këshillave dhe ky proces do të duhej të rifillonte në shtator, gjë që nuk ka ndodhur ende.

“Po presim që brenda pak ditëve Komisioni të mblidhet dhe të rifillojë punën. Tash e kemi edhe një problem tjetër për shkak se kryetarja e komisionit e cila ka qenë atëherë drejtoresha e Administratës nuk është më pjesë e administratës komunale dhe duhet të ndërrohet, e që i takon Kuvendit Komunal që ta bëjë zëvendësimin e saj dhe ta vendos edhe kryesuesin e ri të këtij komisioni”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Zëdhënësi Zhitia thotë se Komisioni komunal është përpjekur që ta eliminojë ndikimin politik te këta mekanizma.