Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka paralajmëruar për një situatë sfiduese në sektorin energjetik, teksa kërkesa për konsum po arrin nivele rekord pothuajse çdo ditë. Sipas kompanisë, konsumi është rritur me rreth 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në një njoftim për media, KESCO ka bërë të ditur se aktualisht konsumi po kalon shifrën prej 700 megavatësh (MW), ndërkohë që prodhimi vendor mbetet shumë më i ulët. Termocentralet me qymyr po sigurojnë rreth 315 MW, ndërsa burimet e energjisë së ripërtëritshme (BRRE) rreth 130 MW.
Për të mbuluar këtë hendek të madh mes konsumit dhe prodhimit, Kosova, sipas KESCO-s, është e detyruar të importojë energji elektrike nga tregjet ndërkombëtare – në një kohë kur çmimet janë të larta dhe të paqëndrueshme.
“Kjo situatë po krijon sfida shtesë për sistemin energjetik të vendit dhe po ndikon në rritjen e kostove të operimit dhe menaxhimit”, thuhet në deklaratën e KESCO.
Për këtë arsye, kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë vetëdije dhe kujdes në përdorimin e energjisë elektrike, sidomos gjatë orëve të pikut.
“Çdo kilovat i kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të sistemit dhe në përballimin më të lehtë të kësaj periudhe sfiduese”, thuhet në njoftim.
KESCO rekomandon që përdorimi i pajisjeve me konsum të lartë energjie të kufizohet dhe të bëhet vetëm kur është i domosdoshëm.
“Sistemi ynë energjetik po përballet me sfida serioze, ndaj kërkohet bashkëpunim i të gjithëve për të tejkaluar këtë situatë”, përfundon thirrja e kompanisë.
Së fundmi, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rriti çmimin e rrymës për 16.1 për qind.