Arbëri

Kërkohet zgjatja e afatit për aplikim për statusin e të dhunuarve në luftë

Ndonëse nuk ka shifra zyrtare, Kosova vlerësohet se ka rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Por për të marrë statusin e kësaj kategorie të viktimave, për katër vjet kanë aplikuar vetëm 1650 persona.

Tani kur jemi një vit para përfundimit të afatit për aplikim, po kërkohet zgjatja e tij.

Këtë kërkesë Qeverisë do t’ia bëjë Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Komisionit, Duda Balje, pas një takimi që të martën e kanë zhvilluar me përfaqësues të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

“Ne si komision sot kemi vendosur që t’i bëjmë një thirrje Qeverisë, në bazë të ligjit që të bëhet vazhdimi i kohës për aplikim të grave. Edhe unë u bëj thirrje publike që secila grua nëse ka përjetuar këtë, të shkojë edhe të aplikojë për njohjen e statusit”, tha Balje. 

Zgjatje të afatit të aplikimit ka kërkuar edhe kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, Leonora Selmani, e cila ka folur edhe për aplikimet e deritanishme.

“Deri më tani, Komisioni i ka pranuar lëndët, gjithsej 1650 raste. Prej të cilave vlen të theksohet se 1138 janë të aprovuara, do të thotë 79.2 për qind të rasteve janë aprovuar. Ndërkaq, 225 prej tyre apo 15.62 për qind janë refuzuar. Në pritje për intervistë janë 62 raste dhe jashtë vendit janë shtatë raste të tjera. Aktualisht presin për t’u trajtuar edhe 198 raste”, tha Selmani. 

Afati i pranimit të aplikimeve, sipas ligjit, përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm, kur bëhen 5 vjet që kur Komisioni ka filluar punën.

Personat e dhunuar gjatë luftës, sipas një vendimi të Qeverisë, kompensohen me nga 230 euro në muaj.