Arbëri

Kërkohet të vihen para drejtësisë përgjegjësit për dhunën e 29 majit

Është bërë një vit prej kur ka ndodhur një nga protestat më të dhunshme në Kosovë. Për ta kundërshtuar vendosjen e kryetarit të Zveçanit në zyrë, protestues të dhunshëm lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, policë e gazetarë. Një numër i vogël i protestuesve është dënuar deri më tani. E, përgjegjësi për dhunën e ushtruar kërkoi komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas

Misioni i NATO-s në Kosovë ka kërkuar që personat të cilët sulmuan ushtarët e saj, një vit më parë, të mbahen përgjegjës.

Nga protesta e dhunshme në Zveçan më 29 maj të vitit të shkuar u lënduan me dhjetëra persona, në mesin e tyre 93 ushtarë të KFOR-it, policë e gazetarë.

Në një reagim për media, komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka vlerësuar lart reagimin e ushtarakëve, ndërsa sulmin e 29 majit e ka konsideruar të papranueshëm.

“Sot ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve tanë, të cilët e vunë jetën në rrezik, për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e misionit tonë të përcaktuar nga OKB-ja. Guximi i tyre ndihmoi të stabilizohej situata në zonë dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejmë”, është cituar ai, në një komunikatë të KFOR-it. “NATO-ja thekson se faktet duhet të vërtetohen dhe që autorët duhet të mbahen përgjegjës”.

Pas rasteve të dhunshme në veri, KFOR-i ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë e forca të blinduara.

“Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO-ja qëndron e gatshme për të ruajtur paqen”, theksohet në komunikatë.

Për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në shkurt janë dënuar dy serbë. Dushan Obrenoviqit i janë shqiptuar 6 muaj burgim e Radosh Petroviqit masa i është zëvendësuar me gjobë prej 6 mijë eurosh.

E, në fillim të majit një muaj paraburgim i është caktuar të dyshuarit tjetër për sulmin ndaj KFOR-it e Policisë, Slobodan Miletiq.

Ndërkaq në gusht të vitit të shkuar dy shtetasve të Serbisë, Sinisha Jevtiq dhe Ivan Sekuliq, u është shqiptuar dënim me gjobë, janë dëbuar nga Kosova dhe u është ndaluar hyrja për tre vjet.

Jevtiq dhe Sekuliq ishin arrestuar më 31 maj në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, dy ditë pas protestave të dhunshme të serbëve në veri, kur u lënduan 90 ushtarë të KFOR-it. Ata, sipas aktakuzës, janë zënë me thika, çekanë, flamuj të Serbisë, sprej e gjëra të tjera të destinuara për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Dy shtetasit e Serbisë e kanë pranuar fajësinë. Dy të dënuarit duhet të paguajnë gjobën brenda 15 ditëve. Jevtiq është i obliguar të paguajë 7000 euro, kurse Sekuliq dy mijë më shumë, pasi është shpallur fajtor edhe për veprën “Mbajtje nën pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në shqyrtim është edhe lënda ndaj Dalibor Spasiqit, i dyshuar për huliganizëm.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë më datë 4.4.2024 ka marrë aktvendim për refuzim të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, vendim ndaj të cilit avokati i të pandehurit ka ushtruar ankesë dhe lënda është në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, thuhet në një përgjigje që Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dhënë për këtë rast.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, në një status në Facebook, ka shkruar se “paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqenë” dhe se “duhet të mbrohen me vigjilencë në çdo kohë”.

“Faleminderit trimave dhe grave me uniformë atë ditë që mbajtën linjën mes milicisë së dhunshme dhe institucioneve tona demokratike. Policia e Kosovës ka identifikuar shumë dhe ka arrestuar dhjetëra autorë. Ata të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi. U dërgojmë urimet tona më të mira familjeve të të gjithë ushtarëve të lënduar të KFOR-it dhe shprehim mirënjohjen tonë maksimale për shërbimin e tyre atë ditë, sot, çdo ditë”, ka shkruar Sveçla.

Në lidhje me dhunën e shënuar një vit më parë ka reaguar edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Sipas kësaj partie, veprimet e institucioneve kanë bërë që situata në Zveçan, një vit pas, të jetë ndryshe.

“Insistimi i institucioneve të Republikës së Kosovës ka bërë që atje sot pamja të jetë krejt ndryshe, sepse nuk ka tjetër alternativë pos zbatimit të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe kësisoj ruajtjes së sovranitetit e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Një vit pas Komuna e Zveçanit funksionon, me kryetar, me stemën e flamurin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Me protestat e dhunshme në Zveçan u kundërshtua vendosja e kryetarit të komunës, Ilir Peci, në godinën komunale. Përveç në Zveçan, protesta pati edhe në Leposaviq e Zubin-Potok.