Arbëri

Kërkohet të trajtohet me urgjencë denoncimi i 27 studenteve ndaj profesorit të Edukimit

Studentë e përfaqësues të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje të enjten menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës që t’i trajtojë me urgjencë denoncimet për ngacmim seksual. Pas raportimit të KOHËS për denoncimin e 27 studenteve ndaj profesorit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, Lëvizja Feministe Studentore ka vendosur mbishkrime në dyer të objektit të Rektoratit të UP-së dhe të Fakultetit të Edukimit, duke kërkuar përjashtimin e Krasniqit

Denoncimi për ngacmim seksual i bërë nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë kundër profesorit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, ka nxitur reagimin e studentëve dhe të shoqërisë civile.

Nëpërmjet një aksioni simbolik, përfaqësues të Lëvizjes Feministe Studentore u kanë kërkuar të enjten Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, si dhe Fakultetit të Edukimit që ta përjashtojnë Krasniqin, i cili mban dy orë në javë të lëndës së matematikës në Fakultetin e Mjekësisë. Ata i kanë kritikuar menaxhmentin e UP-së dhe atë të Fakultetit të Edukimit rreth mungesës së gatishmërisë për të luftuar ngacmimet seksuale.

“Konsiderojmë se edhe kësaj here ky institucion ka tentuar që ta fshehë këtë rast, si krejt rastet e tjera. Kjo për ne është e patolerueshme. Andaj, ne sot, kërkojmë përjashtimin e menjëhershëm të profesorit Xhevat Krasniqi nga UP-ja. Ngacmuesit seksualë nuk kanë vend në UP, andaj nuk do të ndalemi derisa Xhevat Krasniqi të përjashtohet nga UP!”, është thënë në reagimin e tyre.

Me mbishkrimet: “Ngacmuesi seksual ka emër: Xhevat Krasniqi”, dhe “Përjashtoheni Xhevat Krasniqin”, të cilat i kanë vendosur në dyert e objektit të Rektoratit dhe të Fakultetit të Edukimit, studentët e kësaj lëvizjeje kanë kritikuar menaxhmentin e UP-së për mosreagim karshi denoncimeve të paraqitura.

“Përjetimet e studenteve që e kanë denoncuar profesorin në fjalë dhe kërkesat tona i vendosëm tek Rektorati dhe Fakulteti i Edukimit për t’ia rikujtuar UP-së se i njohim ngacmuesit seksualë dhe se refuzojmë t’i bashkëngjitemi heshtjes e normalizimit të abuzimit me pushtetin në formën e dhunës seksuale”, është thënë në reagimin e tyre.

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka reaguar lidhur me rastet, teksa ka kërkuar nga Këshilli i Etikës i UP-së që t’i trajtojë me urgjencë denoncimet për ngacmim seksual.

“Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen. Autorët e këtyre veprimeve janë pjesë e institucioneve publike dhe duhet të përballen me përgjegjësi për veprat e tyre. Kërkojmë shkarkimin e ngacmuesve seksual, si dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjit”, është thënë në reagimin e RRGK-së.

Ibrahim Gashi, ish-rektori i UP-së, ka thënë në emisionin “60 Mminuta” të KTV-së se rasti duhet të trajtohet me prioritet nga Këshilli.

“UP-ja nuk duhet ta lejojë këtë, edhe as një institucion i arsimit të lartë madje as i arsimit të mesëm, kjo çështja më sensitive që duhet të marrë një gjykim kolektiv, pavarësisht kush është i apostrofuari dhe i përfshirë në këtë rast. Po mendoj që ky është abuzimi më i madh që mund të bëjë një pedagog”, ka thënë Gashi.

Profesori Krasniqi, i cili mban dy orë në javë të lëndës së Matematikës në Mjekësi, është denoncuar para dy javësh në Këshill të Etikës.

Studentet kanë akuzuar profesorin se u është drejtuar me sjellje joprofesionale gjatë orarit të konsultimeve.

“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, shkruan në ankesë.

Për sjellje joakademike në orarin e konsultimeve e ka akuzuar edhe një studente tjetër.

“Kur më erdhi rendi, hyra në zyrë dhe profesori më pyeti nëse dëshiroja të shkoja një ditë tjetër në konsultime, por që duhet t’ia jepja fjalën se nuk do t’i tregoja askujt. Unë mbeta pa fjalë se nuk dija çfarë të thosha. Kur e pa reagimin tim, më tha ‘leje, s’je ti që e mban fjalën’”, ka thënë studentja në ankesën e saj.

E një tjetër është ankuar se profesori ka dhënë komente për pamjen e tyre fizike.

“Pas ushtrimeve ai po vjen te ne gjatë rrugës që ishim duke shkuar për në shtëpi dhe po na kthehet me fjalët: ‘të dyjat i keni ly buzët njëjtë a? Lyej ti sa t’dush se buzët si të kësaj nuk mundesh m’i pasë’. Profesori ka pasur edhe shprehje të tjera si: ‘femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’”, është thënë në ankesë.

Megjithëse Rregullorja parasheh që pas paraqitjes së shkeljes, palët të intervistohen brenda pesë ditëve, Këshilli i Etikës nuk e ka përfillur këtë.

KOHA ka raportuar para dy javësh sesi Këshilli e ka shuar një rast të denoncimit ndaj një profesori dhe asistenti në Fakultetin e Edukimit, pa e përfillur legjislacionin. E për këto shkelje, Rektorati ka heshtur edhe gjatë ditës së enjte.