Arbëri

Kërkohet të merren seriozisht paralajmërimet e Zelenskyt

Komunitetit ndërkombëtar i është kërkuar që t’i marrë seriozisht informacionet inteligjente që ka ndarë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sipas të cilave Rusia synon të përgatisë luftë në Ballkan. Njohës të çështjeve të sigurisë theksojnë se Rusia ka synime që të tensionojë situatën në Ballkan nëpërmjet Serbisë. Ata theksuan se rreziku për trazira ekziston edhe në Kosovë

Njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë kanë kërkuar nga Perëndimi që t’i marrë seriozisht paralajmërimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Rusia ka synime që të nxisë një luftë në Ballkan.

Gynen Venhari, drejtues i organizatës “Gjeopost”, teksa kërkon vëmendjen e ndërkombëtarëve, thekson se Rusia ka tendenca të tilla që të hapë vatra krize në Ballkan, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. Përveç veriut, ai thotë se vatra krize mund të jenë edhe Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, e edhe Maqedonia e Veriut.

Sipas tij, me këto pretendime në këtë kohë, Rusia ka qëllim që ta sfidojë Perëndimin.

“Presidenti Zelensky së bashku me ekipin e tij, konkretisht me inteligjencën ushtarake, janë mjaft të përgatitur dhe kanë informacione nga terreni, që non-stop i vëzhgojnë lëvizjet e ushtrisë ruse dhe këto informacione, jo vetëm ne si Kosovë, por të gjithë ndërkombëtarët dhe bota perëndimore duhet t’i marrë seriozisht”, ka thënë Venhari.

Edhe Fatmir Qollakaj, njohës i çështjeve të sigurisë, ka kërkuar që të krijohet ambient i sigurt, sidomos në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se tensionet mund të jenë të mundshme, porse rasti i Banjskës, sipas tij, ka ngritur alarm për bashkësinë ndërkombëtare që të krijohet më shumë siguri.

“KFOR-i është i konsoliduar, qëndrimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare është tashmë i qartë. Rasti i Banjskës riktheu vëmendjen dhe rihapi sytë e NATO-s dhe Amerikës bashkë me Evropën se kjo zonë është e ndjeshme dhe se në këtë zonë mund të përshkallëzohet situata e sigurisë dhe të kalohet në pasiguri. Prandaj duhet të ndërmerren masa dhe veprime të nevojshme paraprake, preventive që të mos eskalohet situata atje”, është shprehur Qollakaj.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, Zelensky është shprehur dy ditë më parë se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan për ta larguar vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj. Të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka deklaruar Zelensky.

Megjithatë, Qollakaj thotë se pavarësisht këtij paralajmërimi, nuk ka rrezik për shpërthimin e ndonjë lufte.

“Ka muaj të tërë që dyshohet, flitet ka indikacione që Serbia, përkatësisht Rusia, përmes Serbisë do të provokojë ndonjë trazirë të madhe ose ndonjë luftë. Unë personalisht nuk besoj që do të ketë luftë, sepse edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe NATO-ja, edhe Amerika pra i dinë dhe kanë disa informacione dhe janë duke bërë përpjekje maksimale që të mos hapet një vatër e re e krizës në Ballkan”, shton Qollakaj.

E, Venhari thotë se për trazirat që dëshiron të shkaktojë në Ballkan, Rusia është duke e shfrytëzuar Serbinë.

“Rusia i shfrytëzon satelit shtetet në këtë rast në Ballkan. E shfrytëzon Serbinë në disa mënyra. Njëra ndër to janë mediumet serbe. Përgatit dezinformimin dhe propagandën për operacione të ndryshme, të cilat i zhvillon në Ballkan. Hapësira tjetër ku Rusia e shfrytëzon Serbinë janë po ashtu kishat ortodokse, të cilat janë mjaft aktive në Ballkan, konkretisht e kemi rastin e Malit të Zi. Më pas shfrytëzimi i grupeve paramilitare kriminale, në këtë rast siç e kanë shfrytëzuar Milan Radojçiqin me grupe të tjera në pika të ndryshme të Ballkan”, ka theksuar ai.

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Eduard Joseph, duke iu referuar deklaratës së Zelenskyt, është shprehur se Ukraina e ka fuqinë që ta ndalojë agjendën e Rusisë në Ballkan, duke e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Z. president, ti e ke fuqinë që ta ndalosh agjendën ruse në Ballkan duke e njohur Kosovën. Nuk do t’i humbësh municionet nga Serbia”, ka shkruar në platformën sociale X, Joseph.

Në Banjskë të Zveçanit, që gjendet në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator një grup paraushtarak serb ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic e duke lënë të plagosur një tjetër. Ndërkaq, gjatë kësaj ngjarjeje policia ka vrarë tre nga anëtarët e grupit të armatosur dhe dy të tjerë ka arritur t’i kapë.

Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë për sulmin dhe kanë thënë të kenë siguruar mjaftueshëm prova që ndërlidhin këtë grup paraushtarak me fqinjin verior.