Nga ky vit shkollimit të detyrueshëm në vend i është shtuar edhe një nivel. Fëmijët ligjërisht janë të obliguar që të ndjekin edhe nivelin parafillor.
Për të ndjekur këtë nivel, ata obligohen të blejnë edhe disa tekste shkollore.
Mësimdhënësja në shkollën “Gjergj Fishta” në kryeqytet, Arta Ahmetxhekaj thotë se librat shkollorë përgatitin parafilloristët për klasën e parë.
“Librat kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e fëmijëve për përgatitjeje të klasës së parë, aty kanë mundësi të mësojnë shkronja dhe numra... kuptohet që ato nuk përdoren shumë gjatë, diku deri 20 minuta varësisht nga aktiviteti që kemi. Po ashtu pas çdo njësi mësimore ne e praktikojmë edhe modelimin e shkronjave, modelimin e numrave me materiale ricikluese”, ka deklaruar ajo.
25 deri në 30 euro është kostoja teksteve shkollore për një parafillorist.
Kushtetuta parasheh që shkollimi i detyrueshëm të financohet nga fondet publike.
Por për këtë nivel mungon subvencionimi nga shteti. KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit për këtë çështje, por tash e një javë nuk ka marrë një përgjigje.
Ankesa për mossubvencionim nga shteti kanë edhe prindërit.
“Është për herë të parë që bëhet i obligueshëm edhe parashkollori, unë e shoh një angazhim jo të duhur të Ministrisë së Arsimit, dhe në moment që ata e kanë bërë këtë nivel të obligueshëm është dashtë të mendojnë për subvencionim e teksteve, megjithatë ata kanë vendos të bëjnë të obligueshëm nuk e kanë menduar çështjen financiare shumë mirë, po shpresojmë që do ta rregullojnë vitin e ardhshëm”, ka deklaruar Visar Islami, nënkryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Përveç nivelit parafillor, shkollim i obligueshëm është edhe niveli fillor dhe ai i mesëm i ultë.
Tekstet shkollore për nxënësit e këtyre dy niveleve janë siguruar nga shteti që nga viti 2008 dhe ka dy vjet që janë subvencionuar nga Ministria.