Arbëri

Kërkohet shtimi i orëve të edukatës fizike në të gjitha nivelet e shkollimit

Në Komisionin për arsim shkencë, teknologji, inovacion, kulturë, rini dhe sport ku është diskutuar për gjendjen e edukimit fizik, shëndetësor dhe sportiv të nxënësve në shkollat e të gjitha niveleve, përfaqësues të Fakultetit të Edukimit Fizik kanë kërkuar që të rritet numri i orëve në shkolla për lëndën e edukimit fizik.

Kjo sipas tyre është e nevojshme për shëndetin fizik dhe po ashtu në aspektin mendor të fëmijëve.

Aktualisht në Kosovë janë 2 orë në javë edukim fizik, ndërsa është thënë se në Kroaci i kanë 5 orë në javë.

Mungesa e aktivitetit të mjaftueshëm fizik dhe përdorimi i teknologjisë, sipas përfaqësuesve të Fakultetit të Edukimit Fizik, po ndikojnë në obezitetin e fëmijëve dhe po ashtu problemet tjera shëndetësore.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik, Musa Selimi, ka kërkuar që edhe në ciklin e ultë, prej klasave 1-5 orët e edukimit fizik t’i mbajë profesionisti dhe jo mësuesi.