Arbëri

Kërkohet rritje e numrit të inspektorëve

Institucionet qendrore e lokale që menaxhojmë me trupa inspektues po kërkojnë shtimin e numrit të inspektorëve. Kjo pasi ata vlerësojnë se numri i inspektorëve aktualë është shumë i kufizuar për t’i realizuar kontrollet që kërkohen në terren. Pothuajse në të gjitha fushat e inspektimit ka mungesë të inspektorëve, porse me programin e Qeverisë parashihet të rritet vetëm numri i inspektorëve të punës

Në Kosovë janë rreth 40 trupa inspektues që kanë nën përgjegjësi mbikëqyrjen e zbatimit të më shumë se 100 ligjeve. Por, numri i inspektorëve që kryejnë këto kontrolle po vlerësohet të jetë shumë i vogël. Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë janë ankuar se operojnë me një numër tejet të ulët të inspektorëve. Ata kanë kërkuar nga Qeveria rritjen e numrit të inspektorëve të të gjitha fushave. Mirëpo, në programin e Qeverisë, reformimi i sistemit të inspektimit pritet të bëhet vetëm në Inspektoratin e Punës. Gjatë prezantimit të programit qeverisës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se do ta pesëfishojë numrin e inspektorëve të punës.

“Siguria dhe shëndeti në punë do të trajtohen me prioritet. Deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës”, ka thënë Kurti.

Mirëpo, ka më shumë se 10 ditë që “Koha” ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria për mënyrën se si synon ta bëjë pesëfishimin e inspektorëve, por ajo nuk është përgjigjur.

Kryetari i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, thotë se ka kohë të gjatë që është duke u diskutuar në lidhje me reformën e Inspektoratit, por ai thotë se e rëndësishme është që Qeveria ta ulë numrin e trupave inspektues nga 45 në 15, në mënyrë që inspektorët aktualë të përfshihen në më shumë fusha.

“Sipas analizave të ndryshme edhe të organizatave ndërkombëtare, në Republikën e Kosovës janë mbi 45 trupa inspektues. Në bisedat që kemi pasur me nivelin qendror në të kaluarën, por edhe në diskutimet që do të mund t’i kemi në të ardhmen, ne si Asociacion kërkojmë që numri i trupave inspektues të reduktohet në maksimum në 15”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi ka theksuar se vetëm për inspektim të masave antiCOVID në nivelin lokal nevojiten së paku 200 inspektorë të tjerë.

“Ka mungesë të lartë të inspektorëve në nivelin lokal, këtë e ka konstatuar edhe kolegjiumi i drejtorëve të Inspektoratit, i cili vepron në kuadër të AKK-së, pasi Inspektorati komunal mbulon të gjitha fushat të cilat nuk mbulohen nga Policia e Kosovës. Në disa raste e kam shprehur kërkesë në nivelin qendror se duhet të rritet numri i inspektorëve në nivelin lokal”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë se numri i inspektorëve që kanë është shumë i kufizuar për ta realizuar kontrollin që kërkohet në terren.

“Agjencia aktualisht të punësuar në të tria llojet e inspektorateve ka rreth 80 inspektorë, duke përfshirë kontrollin kufitar dhe kontrollin e brendshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Numri që është shtuar prej 95 inspektorëve nga MSH-ja, ata janë inspektorë me kontrata mbi vepër, të cilët janë duke punuar vetëm në mbikëqyrje të zbatimit të masave antiCOVID. Kjo pandemi e ka shpërfaqur më së miri nevojën urgjente që ka AUV-i për shtimin e numrit të inspektorëve”, ka theksuar ai.

Kërkesë për shtim të numrit të inspektorëve AUV-i thotë se i ka dorëzuar Qeverisë edhe në fillim të këtij viti, për shkak të urgjencës së madhe.

“Ne i kemi dërguar letër edhe Qeverisë së Kosovës, sepse në vazhdimësi po marrim vërejtje nga ana e Komisionit Evropian përmes Raportit të Progresit që kemi numër shumë të kufizuar të inspektorëve për ta realizuar kontrollin që kërkohet në terren. Tani jemi thuajse në pikën kritike emergjente, ku kemi nevojë urgjente për shtim të numrit të inspektorëve në të tre sektorët, në të dyja nivelet e kontrollit, që të garantojmë siguri dhe cilësi më të mirë për produktet ushqimore”, ka thënë ai.