Arbëri

Kërkohet rishikimi i teksteve dhe përfshirja e mësimdhënësve në vlerësimin e tyre

Foto: Koha

Mësimdhënësit dhe njohësit e çështjeve të arsimit po e shohin të domosdoshëm rishikimin e teksteve shkollore. Koordinatorja për cilësi në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë, ka theksuar nevojën për përfshirje më të madhe të mësimdhënësve në procesin e vlerësimit të teksteve shkollore. Ndërsa ish-ligjëruesi i UP-së, Agron Dida, ka kritikuar konkurset e deritanishme në përzgjedhjen e librave shkollorë

Profesori universitar Agron Dida nuk ka marrë përgjigje për padinë e bërë ndaj Ministrisë së Arsimit në vitin 2019. Ai ka thënë se për katër librat, me të cilët kishte konkurruar nën ombrellën e shtëpisë botuese “Libri Shkollor”, në dy konkurset e vitit 2018, kishte marrë vetëm dy recensime apo vlerësime kritike nga MASHT-i.
“Për katër libra, me të cilat kemi konkurruar me grup të autorëve, i kemi marrë vetëm dy recensione. Secili grup recensues për libër sipas rregullores së ministrit është dashtë të ketë pesë recensentë. Dmth, për katër libra unë është dashtë t’i kem 20 recensione për veprën time dhe të grupit të autorëve e dizajnerëve. Vetëm dy m’i kanë dhënë në total. Është dashtë të m’i japin edhe recensionet e librave të përzgjedhur që unë ta di se ku kam gabuar që ta bëjë një libër më të mirë për nesër ”, ka thënë Dida.

Ish-ligjëruesi i UP-së ka kritikuar mënyrën e përzgjedhjes së teksteve shkollore, që sipas tij janë jo adekuate për moshat e nxënësve të shkollave fillore e të mesme. Kritika kryesore e tij ishte mospërputhja e teksteve dhe kurrikulave për klasat e para deri te e gjashta, ku sipas tij ato tekste kanë probleme logjike në përmbajtjen e tyre. “Krahasime të tilla duhet të bëhen nga institucionet, ato janë përgjegjëse për kualitetin e arsimit se si do të jetë për fëmijët tanë. Autori bën aq sa mundet, unë aspak nuk i akuzoj autorët që i kanë përpiluar këto libra, ata kanë bërë aq sa kanë ditur”, ka deklaruar Agron Dida, për KOHËN.

Nevojën për rishikimin e teksteve shkollore e ka potencuar edhe koordinatorja e cilësisë në shkollën “Faik Konica”, Ibe Gashi-Demolli. Ajo tregon se dallimet mes teksteve të reja dhe atyre të vjetra, që janë më në përdorim, janë shumë të vogla. Sipas saj, nuk ka pasur progres të madh mes këtyre teksteve edhe pse është supozuar që në tekstet e reja të mos haset në problemet e vjetra që i kanë pasur në përmbajtje tekstet që tashmë janë jashtë përdorimit.
“Unë besoj që Ministria e Arsimit duhet t’i ndërrojë politikat për përpilimin e teksteve mësimore që kanë të bëjnë për nxënësit. Është mirë që në grupet punuese që i hartojnë këto tekste mësimore të ketë numër më të madh të mësimdhënësve, sepse ata janë të parët që preken direkt me nxënësit dhe kanë kontakt direkt me nxënës. Mirë është që këto tekste më shumë të hartohen nga mësimdhënësit dhe të mbikëqyren nga profesorët e Universitetit, që nga ana shkencore të mos ketë gabime, ndërsa nga ana teknike dhe përmbajtjesore dhe nga gjuha që duhet të përdoret në këto tekste, unë po mendoj që më të afërt edhe ma lehtë e kanë që t’i hartojnë mësimdhënësit”, ka thënë ajo.
Gashi-Demolli ka kritikuar edhe përzgjedhjen e teksteve alternative, duke thënë se dallimet janë të vogla në krahasim të librave bazë.
“Këtë vit shkollor kemi pas tekste alternative, prapëseprapë edhe pse në disa lëndë janë përzgjedhë tekste alternative. Në diskutim me mësimdhënës e kemi parë që kanë dallime të vogla. Edhe vlerësimi kur iu është bërë këtyre teksteve ka qenë një dallim shumë i vogël mes tekstit bazë dhe atyre alternativ”, është shprehur ajo.

Një nga problemet kryesore për vlerësimin e teksteve, sipas Rinor Qehajes, nga Instituti Edguard, është mungesa e autorëve profesional. Në institutin që ai drejton, kanë thënë se janë pro një rishikimi të detajuar të teksteve aktuale, por që kjo duhet të bëhet nga profesionistët në mënyrë që të mos theksohen problemet edhe më shumë.

“Sistemi ynë arsimor ka nevojë për tekste të reja në përgjithësi. Rishikimi si proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm pasi që do të na ofronte një pikëpamje se kush është në të vërtetë përmbajtja, apo të metat në tekstet shkollore. Si proces do të kontribuonte në një vetëdijesim të institucionit të MASHT-it, por edhe të gjithë hisedarëve të tjerë për të evidentuar problemet e vërteta”, ka deklaruar Qehaja.
Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, nga Ministria e Arsimit kanë thënë se ky projektligj është në hartim e sipër dhe se pas përfundimit të këtij dokumenti do të qartësohen të gjitha detajet.
“Shqetësimet e ngritura në të kaluarën në lidhje me kriteret për vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore janë të drejta dhe grupi punues i angazhuar në këtë proces i ka marrë për bazë. Ne jemi duke punuar që këto shqetësime të reflektohen në mënyrën më të mirë të mundshme në Projektligj. Si Ministri jemi të përkushtuar që i gjithë procesi për tekstet shkollore të jetë transparent dhe të përfillen të gjitha kriteret. Ashtu siç e cekëm më lartë, Projektligji është në hartim e sipër andaj pas përfundimit të këtij dokumenti do të qartësohen të gjitha detajet”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Në maj të këtij viti ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati paralajmëruar se brenda vitit do të jetë i gatshëm projektligji për tekstet shkollore. E, në pyetjen se sa do të jetë buxheti për botimin apo ribotimin e teksteve shkollore, Ministria nuk ka dhënë shifër, por vetëm ka thënë se buxheti do të varet nga nevoja për tekste të reja shkollore.