Arbëri

Kërkohet rishikimi i listës së lektyrave e rivlerësimi më i shpeshtë i materialeve mësimore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i rishikimit të listës së lektyrave shkollore. “Me ligj, pastaj do të rregullohet që të jetë një rishikim më i shpeshtë, një përditësim, duke i ruajtur edhe ato që janë vlera, e jo gjithçka vetëm që është e re”, ka thënë Nagavci gjatë diskutimit

Rishikimi i listës së lektyrave shkollore dhe rivlerësimi më i shpeshtë i materialeve mësimore është propozuar të mërkurën gjatë dëgjimit publik mbi Projektligjin për Tekste Shkollore në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion e Kulturë.  

Selim Mehmeti, përfaqësues nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, ka shprehur nevojën që të ketë përditësim të përmbajtjeve të lektyrave, të cilat u caktohen nxënësve për lexim.

“Isha këto ditë në njërën prej shkollave të Kosovës e më bëri përshtypje numri i librave. 4.500 tituj shkolla mbante në bibliotekë. Kur shikon listën e teksteve, pjesa më e madhe janë me dekada, me vite (të vjetra) e që nuk përkojnë me aktualitetin dhe me nevojat e fëmijëve tanë. Ka nevojë që të preket më mirë kjo çështja e lektyrave. Një përgjegjësi pak më e madhe e rishikimit, plotësimit dhe një update të tyre”, ka thënë ai në Komisionin Parlamentar për Arsim.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i rishikimit të listës së lektyrave shkollore.

“Me ligj, pastaj do të rregullohet që të jetë një rishikim më i shpeshtë, një përditësim, duke i ruajtur edhe ato që janë vlera, e jo gjithçka vetëm që është e re”, ka thënë Nagavci.

Krahas kësaj, gjatë dëgjimit publik është paraqitur kërkesa që të bëhet edhe përcaktimi i kohës për rishikimin e teksteve shkollore, si dhe digjitalizimi si i materialit shkollor ashtu edhe i atij pedagogjik. 
Ilir Mazreku, profesor në Universitetin e Prishtinës (UP), ka propozuar që t’i kushtohet kujdes më i lartë procesit të vlerësimit të librave.

“Te koha e vlerësimit të librave mendoj se duhet patjetër të vendoset një rishikim i detyrueshëm çdo tre apo pesë vjet, për shkak se nuk e pashë një kufizim për sa kohë një libër do të botohet. Edhe nëse ka ikur një gabim, ai gabim do të duhej të kufizohej deri në tre vjet”, ka thënë Mazreku.

E Jehona Oruqi, drejtoreshë në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ka kërkuar që krahas materialeve shkollore, ligji i ri të përfshijë edhe digjitalizimin e dokumentacionit pedagogjik.

“Nëse i referohemi nenit 7 të ligjit përcaktohet digjitalizimi i teksteve shkollore dhe materialeve, mirëpo nuk përcaktohet as te neni 14 digjitalizimi i dokumentacionit pedagogjik. Duke pasur parasysh se shkollat do të fillojnë procesin e digjitalizimit në të ardhmen, do të digjitalizohen edhe tekstet shkollore, por do të jetë shumë e vështirë që të punohet. Edhe dokumentacioni pedagogjik në anën fizike qysh përmes ligjit unë nuk po mundem me e vërejte që është e përcaktuar ose e saktësuar për dokumentacionin pedagogjik”, ka thënë Oruqi.

Në përgjigjen karshi komenteve, ministrja Nagavci ka thënë se nëpërmjet ligjit synohet që të rritet cilësia e teksteve shkollore.

“Rishikimi do të jetë i përvitshëm. Pritet që në vazhdimësi edhe me një projekt të mbështetur nga BE-ja ne tashmë jo vetëm se kemi filluar procesin e rishikimit të teksteve, por janë duke u përgatitur kapacitete edhe në kuadër të komunave. Është bërë trajnimi i grupit të parë dhe tash do të vazhdohet me grupin e dytë. Dhe do të zhvillohen shkathtësitë që jo vetëm të bëhet rishikimi shumëdimensional, por edhe raportimi e pastaj, përcjellja dhe nënkupton që përmirësimi i cilësisë duhet të bëhet për çdo vit”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka bërë të ditur se Projektligji ka për qëllim përcaktimin e normave, standardeve dhe procedurave themelore për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, materialeve mësimore, mjeteve mësimore, lektyrave shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik në arsimin parauniversitar. Ka shtuar se Projektligji gjithashtu përfshin pilotimin apo provën e teksteve shkollore gjatë përgatitjes teknike që i paraprin vendimit për botim, si dhe rishikim të vazhdueshëm të teksteve shkollore, të hapur për komente nga të gjithë akterët relevantë dhe për gjatë gjithë vitit. 

“Në linjë me qëllimin tonë strategjik të digjitalizimit në arsim në këtë projektligj kemi rregulluar edhe mundësinë për ofrimin e teksteve dhe materialeve shkollore, mësimore digjitale. I kemi hapur rrugë edhe mundësisë së përkthimit dhe përshtatjes së teksteve shkollore për të gjitha fushat, lëndët që konsiderohen me interes për t’u përkthyer. Dhe kemi fuqizuar këshillin shtetëror për tekste shkollore duke reflektuar jo vetëm fushat kurrikulare, por edhe konceptet themelore të funksionimit të sistemit të arsimit, si integrimi i teknologjisë, diversiteti, gjithëpërfshirja, zhvillimi i fëmijës, mësimdhënia moderne dhe aspektet e barazisë gjinore”, ka theksuar Nagavci.

Palët e interesit janë inkurajuar që komentet e tyre rreth Projektligjit për tekste shkollore t’i dorëzojnë edhe me shkrim deri të hënën.