Një proces i vlerësuar lart ditën e zgjedhjeve është cenuar pas dëshmive se komisionerë kanë fabrikuar disa nga votat e kandidatëve për deputetë.
Shkaku që në vendvotime ndodhen komisionerë të partive të ndryshme, nuk manipulohet me rezultatin e subjekteve politike.
Por standard i njëjtë nuk vlen edhe gjatë numërimit të votave për kandidatët, meqë brenda vendvotimeve komisionerët merren vesh që t’i numërojnë e përshkruajnë votat e kandidatëve të partive që u përkasin.
Në rrjetin e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” kanë shtruar nevojën për reformë zgjedhore, me qëllimin për ta evituar këtë formë deformimi të rezultatit.
“Ne si DNV në vazhdimësi kemi bërë thirrje që të rishikohet çështja e numërimit të votave, sidomos të kandidatëve nëpër vendvotime, dhe të gjenden modalitete të tjera potencialisht për të futur në përdorim teknologjinë, numërimin apo votimin elektronik, që do të evitonte situata të tilla të deformimit të vullnetit real qytetar”, ka thënë Eugen Cakolli nga DnV-ja.
Prejse zgjedhjet organizohen nga institucionet shtetërore të Kosovës, më së shumti vendvotime janë rinumëruar në vitin 2019.
Numërimit për së dyti i ishin nënshtruar 88.5 për qind e vendvotimeve. Pas zgjedhjeve të 2010-s janë rinumëruar 40.3 për qind e vendvotimeve, pas atyre të 2014-s 21.6 për qind, kurse pas zgjedhjeve të 2017-s në rinumërim kishin shkuar 22.7 për qind e vendvotimeve.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, subjekt që pritet ta bëjë shumicën në legjislaturën e re, japin sinjale se do të bëjnë ndryshime ligjore edhe për llogari të numërimit.
“Procesi zgjedhor në përgjithësi ka qenë i rregullt. Dita e votimit ka qenë e qetë dhe pa incidente. Vështirësitë më të theksuara janë shfaqur në regjistrimin dhe votimin e mërgatës. Ky operacion dhe rinumërimet e shumta e bëjnë të domosdoshëm ngritjen e profesionalizmit dhe përgatitjen e duhur. Është prioritet që mërgatës t’i mundësohet votimi edhe në ambasada dhe konsullata, përveçse me postë, sikurse që në KQZ duhet të mbizotërojë profesionalizmi. Përveç përmirësimeve ligjore duke adresuar edhe rekomandimet e vëzhguesve të BE-së, është e nevojshme ngritja e kapaciteteve profesionale dhe sjellja e KQZ-së si një institucion që garanton pacenueshmëri të procesit, ngase kur flitet për ndërhyrjet në rezultat në QNR, aty s’ka faj ligji, por mënyra se si janë punësuar stafi i numëruesve. Nëse në vendvotime komisionerët janë të partive, numëruesit në QNR do të duhej të jenë të paanshëm”, ka thënë Adnan Rrustemi nga VV-ja.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk i është përgjigjur kërkesës së KOHËS për të dhënë një përgjigje për këtë pretendim.
E në shoqërinë civile thonë se, në mungesë të ndryshimeve ligjore që do ta evitonin mundësinë e manipulimeve me votat, besimi i publikut në deputetët do të jetë i ulët.
“Aktualisht korniza ligjore në Kosovë nuk parasheh asnjë mundësi tjetër të numërimit, përpos në vendvotime nga komisionerët e nominuar nga subjektet politike, prandaj kjo domosdo ngre nevojën për përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore, proces ky i cili pa asnjë dyshim do të duhej të përfshinte edhe çështjen e numërimit, meqenëse, përveçse janë duke u shkaktuar vonesa të shumta në krijimin e institucioneve, në vazhdimësi kemi luhatje të besimit të publikut në raport me kandidatët të cilët zgjidhen”, ka deklaruar Cakolli.
Në vitin 2012 kishte nisur një reformë zgjedhore, që përfshinte ndryshime në Kushtetutë dhe në ligje. Ndonëse grupet punuese kishin përgatitur draftet, ato kurrë nuk janë vënë për votim në Kuvend.