Pas më shumë se dy muajsh pa takime, kryeministrat Albin Kurti e Edi Rama, do të bëhen bashkë në forumin që do të mbahet javën e ardhshme në Bled të Sllovenisë. Njohës të çështjeve politike në Kosovë e Shqipëri e shtruan nevojën që në këtë organizim, dy kryeministrat të demonstrojnë qëndrime unike. E për përmirësimin e raporteve të ftohura mes atyre, ata kërkuan që para nisjes drejt Sllovenisë, ta mbajnë edhe një takim të përbashkët
Nevojën për përafrimin në qëndrime midis kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij të Shqipërisë, Edi Rama, e kanë shtruar të shtunën njohës të çështjeve politike në Prishtinë e Tiranë, në prag të forumit në Bled të Slloveni.
Në këtë forum strategjik, që do të zhvillohet më 28 e 29 gusht, Kurti dhe Rama do të takohen për të parën herë që pas anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, rreth dy muaj më parë. E pas kësaj, Kurti nuk e pati pritur Ramën për takim gjatë vizitës që ai i bëri Kosovës.
Profesori universitar, Dorajet Imeri, nuk pret që ngjarja në Slloveni do të shërbejë për unifikimin e qëndrimeve të dy kryeministrave.
“Natyrisht që janë domethënëse të përçojnë një mesazh se kryeministrat e dy vendeve qëndrojnë unikë, por duke parë qasjen që kryeministrat kanë zgjedhur të kenë ndaj njëri-tjetrit dhe vendeve respektive, natyrisht, në këto momente nuk mund të themi se mund të kemi një afrim të politikës së jashtme, të dy vendeve tona”.
Kurti e Rama patën përplasje nga distanca fillimisht rreth nismës “Ballkani i Hapur” në të cilën Kosova refuzoi të përfshihet, e më pas për pozicionet pas trazirave që ndodhën gjatë majit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Por njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, mendon se këto dy tema janë zbehur dhe se tani është momenti që dy qeveritë t’i kthejnë raportet në nivel konstruktiv.
Ai thekson se dy kryeministrat, kur marrin pjesë në forme ndërkombëtare, e kanë përgjegjësinë e faktorizimit të rolit të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
“Pa dyshim që ka një interes të madh në mënyrën se si përçohet konteksti dhe faktorizimi politik i shqiptarëve në Ballkan dhe besoj që të dy kryeministrat e kanë përgjegjësi dhe e kanë edhe aftësinë për të qenë në lartësinë e duhur për ta përfaqësuar këtë interes kundrejt zhvillime rajonale, kundrejt platformave rajonale dhe bashkëpunimit rajonal por edhe kundrejt atyre kërcënimeve që mund të jenë për vetë vendet por edhe prej fqinjëve tanë”, ka thënë Çipa.
Ai vlerësoi se është i domosdoshëm zhvillimi i një takimi midis Ramës dhe Kurtit, para pjesëmarrjes në forumin e Sllovenisë.
I pyetur lidhur me takimin e mundshëm me Kurtin, Rama të premten nuk pranoi të deklarohet para mediave, porse tha që në raportet me homologun nga Kosova nuk bëhet fjalë për telenovela.