Arbëri

Kërkohet që bujqit e Istogut të dëmtuar nga vërshimet të ndihmohen me subvencione

Meqenëse për dëmet që kanë pësuar bujqit e Istogut nga vërshimet dhe era nuk është ndihmuar asnjë prej tyre me asnjë cent të vetëm, në Komunën e Istogut konsiderojnë se fermerët që i kanë pësuar këto dëme, duhet të kompensohen një herë nga programi i subvencioneve për sivjet nga Ministria e Bujqësisë, e pastaj të përfitojnë subvencione edhe si gjithë fermerët tjerë

Istog, 6 shtator – Breshëri, era, vërshimet dhe acari sivjet dhe vitin e kaluar kanë shkaktuar në territorin e komunës së Istogut dëme të mëdha në bujqësi edhe perimtari, duke mos kursyer as ushqimin dhe silazhe për bagëti.

Mbi një milion euro është dëmi që kanë shkaktuar kushtet klimatike në këtë sektor të rëndësishëm për popullatën në fshatrat e Istogut. Të gjitha këto dëme komisionet komunale i kanë evidentuar dhe listat ia kanë përcjellë institucioneve përkatëse në nivelin qendror. Por nga gjithë kjo shumë e dëmeve të shkaktuara, siç tha drejtor i Shërbimeve Publike, Mbrojte dhe Shpëtim, Enver Rugova, fermerët janë kompensuar vetëm për dëmin që ka shkaktuar breshëri verën e vitit të kaluar.

“Këto dëme të vlerësuara në 350 mijë euro të shkaktuara nga breshëri, janë paguar. Kurse dëmet tjera që janë shkaktuar në bujqësi nga era e vërshimet, nuk janë kompensuar fare as edhe një cent për vitin e kaluar e as për sivjet që kanë qenë”, tha Rugova.

Në gusht të vitit të kaluar breshëri kishte dëmtuar hektarë të tërë të plantacioneve me pemë, kryesisht molla dhe dhjetëra hektarë tjerë të kulturave të perimtarisë. Kurse pa kompensim kanë mbetur fermerët që dëme kanë pësuar nga era dhe vërshimet.

Në shkurt të vitit të kaluar, sipas Rugovës, era e fortë kishte shkaktuar dëme rreth 623 mijë euro në sektorin e bujqësisë. Ndërsa në vetëm në janarin e sivjetmë, dy herë brenda dy jave ishin goditur nga vërshimet tokat dhe pronat e fermerëve në 17 fshatra të komunës së Istogut, duke shkaktuar dëme në ferma, silose dhe toka bujqësore.

“Dëmet më të mëdha kanë qenë te ushqimi i kafshëve në ato 17 fshatra. Pastaj kanë dëmet në grurë, sera, stalla, ferma të pulave. Shuma e dëmeve në bujqësi ka qenë mbi 263 mijë euro nga vërshimet”, thotë Rugova.

E meqenëse për këto dëme nuk është ndihmuar asnjë fermer me asnjë cent të vetëm, Rugova konsideron se fermerët që i kanë pësuar këto dëme, duhet të kompensohen një herë nga programi i subvencioneve për sivjet nga Ministria e Bujqësisë, e pastaj të përfitojnë subvencione edhe si gjithë fermerët tjerë.

Ministri i Bujqësisë Faton Peci, ka bërë publike të hënën programin e pagesave direkte për fermerë në vlerë prej 50 milionë euro, për vitin 2021.

“Nuk do të ishte e drejtë dhe korrekte që dikush që nuk ka pas fare dëme në bujqësi të merr subvencione njëjtë sikurse ata që kanë pësuar dëme të mëdha nga kushtet klimatike. Ne si komunë konsiderojmë që Ministria e Bujqësisë duhet me këto subvencione së pari t’i kompensojë fermerët që kanë pësuar dëme dhe kanë humbur nga era e vërshimet të mbjellat e tyre dhe ushqimin e kafshëve”, tha Rugova.