Arbëri

Kërkohet që 15 janari të zyrtarizohet si ditë e përkujtimit të gjenocidit edhe në kalendarin shtetëror

Më 15 janar shënohet Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë, duke kujtuar mijëra civilë shqiptarë të vrarë, gra të dhunuara dhe qindra mijëra të zhvendosur me forcë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Megjithëse kjo datë ka një rëndësi të veçantë historike, ajo ende nuk është zyrtarizuar në kalendarin shtetëror. Organizata joqeveritare vazhdojnë të bëjnë thirrje për përfshirjen institucionale të kësaj dite.

15 janari përveç që shënon Masakrën e Reçakut, është ditë përkujtimore për viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Lulëkuqja me katër petale shërben si simbol unik përkujtimor, duke paraqitur katër format e akteve gjenocidare të zbatuara: vrasjen, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore e etnike shqiptare.

ka organizuar disa aktivitete për ta shënuar këtë ditë.

“Ne si organizatë joqeveritare po njëkohësisht edhe Parlamenti i Studentëve në këtë vit i bashkohet aktivitetit, por mendoj që nga të gjithë duhet të shënohet, qoftë nga mediet, qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga institucionet, nga partitë politike, sepse është një datë që të gjithë duhet të reflektojmë edhe të bashkohemi në përkujtim të asaj që ka ndodhur”, ka deklaruar Bujar Dugolli nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”.

Edhe pse më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për njohjen e këtyre krimeve si gjenocid dhe për përcaktimin e 15 janarit si Ditë e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit, kjo ditë ende nuk është zyrtarizuar në kalendarin shtetëror.

Sipas përfaqësuesve të Qendrës, përfshirja institucionale dhe përkujtimi i kësaj dite nga të gjitha institucionet shtetërore, është i domosdoshëm për ruajtjen e kujtesës historike.

“Institucionet duhet ta fusin në kalendarin e përkujtimit këtë ditë dhe normal që në bashkëpunim edhe me ne edhe me organizatat e tjera, që ta përkujtojnë këtë”, është shprehur Dugolli.

Në shumë vende të botës, së paku prej një shekulli, lulëkuqet shërbejnë si simbol për të përkujtuar të rënët gjatë luftërave anekënd globit.