Protestë

Kërkohet përjashtimi i profesorit të denoncuar për ngacmim seksual

Me protestë kërkohet largimi i profesorit të denoncuar për ngacmim seksual

Foto: Alban Bujari

Lëvizja Feministe Studentore bashkë me disa studente aktiviste po protestojnë me kërkesën për përjashtim të profesorit të denoncuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Protesta është paralajmëruar se do të zgjasë tetë orë dhe po mbahet para rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

“Jashtë Xhevat Krasniqi”, “ngacmimi seksual është krim”, “mos e normalizoni ngacmimin seksual” e “nuk durojmë ma”, janë disa nga mbishkrimet që janë vendosur para derës së ndërtesës së rektoratit.

“Edhe kësaj here Këshilli i Etikës nuk përfill rregulloren dhe neglizhon trajtimin e rastit. Në anën tjetër, nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga UP. Heshtja dhe neglizhenca e UP-së përballë kësaj situate po e normalizon ngacmimin seksual brenda këtij institucioni. Për ne kjo është e papranueshme sepse ne nuk mund të lejojmë të denoncuarit për ngacmim seksual të japin mësim në UP”, thuhej në paralajmërimin e Lëvizjes për protestë.

Protestë ndaj profesorit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës (UP) është mbajtur edhe javën e kaluar. Aty është bërë thirrje që Krasniqi të përjashtohet nga roli i profesorit dhe UP-ja të distancohet.

KOHA ka raportuar javë më parë se 27 studente janë ankuar se profesori i Edukimit që ua jep Matematikën në Fakultetit të Mjekësisë, u është drejtuar me sjellje joprofesionale e komente mbi pamjen e tyre fizike.